TIRANË- Një skemë mashtrimi ndaj një 55-vjeçari u zbulua ditën e djeshme nga policia, duke çuar në arrestimin e 3 personave, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Grupi prej 5 personave që mashtruan biznesmenin shkodran, dyshohet të jenë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit po për mashtrim, Florian Gjergji.
Të arrestuarit janë: Krenar Toromenin, Ilia Gjinin dhe Artur Lecinin, të cilët në bashkëpunim me dy të tjera, kanë mashtruar bviznesmenin. Përmes aplikacionit Viber, ata e kanë kontaktuar me një numër të paregjistruar dhe i ishin prezantuar si miku i ngushtë i Tonin Marinajt, kryetarit të bashkisë në Malësi e Madhe dhe i kanë kërkuar një shumë parash. Bëhet fjalë për një shumë prej 40 mijë euro, me pretendimin se do ua çonin Marinajt dhe ai do ia kthente brenda pak ditësh.
Biznesmeni ka deklaruar se ua ka dhënë paratë me mirëbesim, por në mbrëmje, pasi ka kontaktuar vetë Tonin Marinajn për ta pyetur nëse i kishte marrë paratë, ka kuptuar se ishte mashtruar. Menjëherë ai ka bërë kallëzim në polici dhe me ndihmën e kamerave të një biznesi pranë Rinasit, ku edhe ishin dhënë paratë, janë identifikuar autorët.
Ndalimi i autorëve të dyshuar u bë në rrethrrotullimin e Rinasit. Ndërkohë, sipas njoftimit të bluve, policia ka kryer kontrolle në banesën e Artur Lecinit, ku është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit policia ka sekuestruar sasi droge, 4 telefona dhe 1 automjet tip “Audi Q5” me të cilin 5 shtetasit kanë lëvizur për të marrë paratë e 55-vjeçarit. Ndërsa në shtëpinë e Lecinit u gjet dhe Elton Rrushi, i cili është arrestuar për moskallëzim krimi.
Por kjo nuk është hera e parë që zbulohet një skemë mashtrimi e Gjergjit. Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Rastet e mashtrimit të biznesmenëve:
7 janar 2023 – Operacioni “Signal”, tre të arrestuar, shuma 130.000 euro
10 janar 2023– Operacioni “Subjekti”, tre të arrestuar, shuma 13.000 euro
13 shkurt 2023– Operacioni “Tentativa”, tre të arrestuar, shuma 90.000 euro
6 maj 2023 – Operacioni “Telegram”, dy të arrestuar, shuma 100.000 euro
16 maj 2023– Operacioni “Arkitekti”, një i arrestuar, shuma 70.000 euro
4 gusht 2023– Operacioni “Replay”, tre të arrestuar, shuma 35.000 euro
29 shtator 2023– Operacioni “Fraud”, katër të arrestuar, shuma 70.000 euro./ZËRI




