MALIQ- Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak në Maliq, ku fermerët kanë kërkuar llogari në lidhje me dëmshpërblimin e tyre për përmbytjet. Fermerët iu kanë kërkuar llogari drejtuesve të Bashkisë, në lidhje me dëmet që u janë shkaktuar në të mbjella, si pasojë e përmbytjeve të ndodhura në Nëntor të vitit që lamë pas.
Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet janë shumë të konsiderueshme në prodhimet bujqësore të cilat iu janë shkatërruar.
Julian Guri një prej fermerëve potencialë në territorin e bashkisë Maliq ju bën thirrje fermerëve për rezistencë. “Asnjë nuk duhet të lëvizi që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?” – thotë fermeri.
Në shenje proteste fermerët kanë përplasur tavolinat, ndërsa kërkojnë dëmshpërblimet sipas tyre kjo situatë sa vjen dhe rëndohet.
“Nuk duam shpresa të kota”, shprehen ata, ndërsa njëzëri thërrasin “Turp, Turp!”.
“Me polici hajde na nxirrni, se ne nuk ikim që këtu. Asnjë s’do lëvizë nga këtu, lajmëroni kë të doni, duam përgjigje konkrete. Kam 1 muaj e gjysmë që kur ju kam lajmëruar, keni matur edhe tokat po dëmshpërblimet ku janë? Do na jepen apo jo që të dimë të vazhdojmë me protesta se rrugë tjetër ska. Ne duam përgjigje, ça do bëni me ne?!”, vijuan fermerët.
Në përfundim të mbledhjes pritet të shihet se çfarë do të vendoset për këtë çështje, nëse do të ketë një vlerësim të dëmeve ekonomike që fermerët kanë pësuar./ZËRI