SARANDË-Një ngjarje e rëndë është raportuar në Sarandë, ku familjarët e ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Matilda Qurku janë kanosur me armë të ftohtë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, ku 21-vjeçari Mariglen Bajrami është konfliktuar me famlijarët e ish-kandidates dhe i është afruar babait të saj, me thikë në dorë.
Ngjarja është filmuar dhe i është përcjellë Policisë, e cila ka shpallur në kërkim të riun. 21-vjeçari dyshohet se është përfshirë fillimisht në një debat me familjarët, përpara se t’i afrohej babait të Matilda Qurkut duke mbajtur një thikë të fshehur pas shpine. Vetë kandidatja e PD me një postim në rrjete sociale ka rrëfyer ngjarjen. Ajo shprehet se i riu me thikë në dorë u shfaq para lokalit në pronësi të Qurkut dhe iu afrua makinës ku ndodheshin fëmijët e saj (2 dhe 10 vjeç), nipërit dhe bashkëshorti.
Kandidatja tregon se e telefonuan për ti kërkuar ndihmë dhe shkoi menjëherë, por Mariglen Bajrami i ndoqi me makinë dhe i goditi pesë herë. Qurku sqaron se prindërit e të riut kanë qenë punonjës në lokalin e saj, por janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar
POSTIMI:
Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë. Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim. U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti. Kur nipi pa armën, i thotë: “Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit. Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë. Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër. Agresori largohet… por jo për t’u ndalur.
Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.
Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste: “Na ndihmo, po na vret!”-është diçka që s’do ta harroj kurrë.
Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste – pa bërë asnjë faj.
E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.
Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë: SIGURI dhe DREJTËSI.
Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin. Mbrojtje për familjen time. Zbatim të ligjit për të gjithë. Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje – jo për të bërë zhurmë, por për të treguar të vërtetën.
P.S:Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit”