BORSH- Jugu i Shqipërisë aktualisht ka situatën më problematike sa i përket zjarreve, teksa prej ditësh është nën pushtetin e flakëve. Situata kritike paraqitet Borsh, me flakët që kanë dalë jashtë kontrollit. Flakët po përhapen me shpejtësi duke rrezikuar jo vetëm sipërfaqe të gjera të gjelbërta, por edhe banesat e afërta, ndërsa banorët e zonës janë në panik për shtëpitë e tyre. Vatra e zjarrit është favorizuar nga bimësia, era dhe temperaturat e larta gjatë ditës.
Ndërkohë, mjetet zjarrfikëse e kanë të pamundur të operojnë për hir të terrenit të vështirë, por tashmë edhe errësirës. Edhe pse zjarrfikësit e Himarës gjatë gjithë ditës kanë qenë në terren, nuk kanë arritur ta marrin situatën nën kontroll.
Përkeqësohet situata e zjarrit gjatë orëve të mbrëmjes edhe në Shashicë të Vlorës, teksa rrezikon disa familje edhe në Sherisht. Ndërkohë që për shkak të situatës së rënduar, po afrohet edhe policia vendore, nëse ka nevojë për evakuim të banorëve, për të shpëtuar jetët e tyre.
Situata me zjarrin në Piqeras dhe Sasaj në qarkun e Vlorës është përkeqësuar, me flakët që janë përhapur për shkak të erës. Tek vatra e zjarrit afër Manastirit të Piqerasit janë pozicionuar punonjësit e zjarrfikëses me pompa shpine, por ndërhyrja sa vjen e vështirësohet edhe për shkak të errësirës./ZËRI