TIRANË-Dorian Beu, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pjesë u arrestua me urdhër të SPAK në Malin e Tomorrit. Beu pjesë e grupit të trafikut të drogës i akuzuar për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash, rezulton aksioner edhe në peshkim.
Konkretish ortak me biznesmenin Gjergj Luca. Beu ka 10% të aksioneve në shoqërinë “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës - OMPD Shpk”, të regjistruar në QKR në qershor 2020. Përveç Beut dhe Lucës, në këtë shoqëri figurojnë edhe Syrjan Tola dhe Qemal Beu, emra të përfshirë në të njëjtat hetime për trafik droge dhe kontrabandë.

Porti i Durrësit prej vitesh është përfolur prej kohësh si rrugë kyçe për kalimin e kokainës, ku grupe të ndryshme kanë operuar në trafikun e lëndëve narkotike nëpërmjet tij.
Beu është pjesë e grupit të trafikut të drogës të goditur nga SPAK në dhjetor të vitit 2023, i cili akuzohej për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash. Dorian është kushëriri i Emirjan Beut, njëri prej drejtusëve të grupit. Emri i Dorian Beut doli nga përgjimet e SPAK dhe Prokurorisë Italiane, ku autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane dhe me EUROJUST arritën që të shkatërronin rrjetin e bandës së trafikut të drogës që drejtohej nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço.
Emirjan Beu është edhe vëllai i Florida Beut, e cila korruptoi ish-zëvendësministren e Brendshme Rovena Voda. Ai është përmendur edhe më herët, teksa ka ndërhyrë më herët tek prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi, për dhënien ryshfet të 2 mijë eurove për lehtësimin e masës së sigurisë të disa të rinjve që ishin kapur me kanabis. Beu u arrestua më 30 qershor 2021, bashkë me prokurorin Karriqi, Dritan Dedjan dhe Isuf Begën, por siç duket është liruar sërish dhe është larguar drejt Italisë./ZËRI

