TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar me 11 vota pro, emrin e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vendimi u mor në mënyrë unanime, pas leximit të relacionit të SPAK, që përzgjidhte Ketën si kandidatin e duhur, mes 6 të tjerëve në garë.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të prokurorisë ishin të pranishëm dhe përfaqësues të ambasadës amerikane, si dhe vendeve të BE. Disa ditë më vonë, KLP do të jetë përballë një tjetër zgjedhje të vështirë, atë për kreun e ri të SPAK, që do të zëvendësojë në krye të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumanin.
Mandati i Ketës në krye të BKH-së do të jetë 5-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Joni Keta u përzgjodh nga SPAK mes një liste prej shtatë kandidatësh, ku përfshiheshin edhe Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano. Aktualisht, Keta mban postin e zv. Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Emri i tij u porpozua nga treshja Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Kush është Joni Keta
Joni Keta është aktualisht zv. Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda ndërsa pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta u përfshi në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai është djali i prokurorit Hysen Keta dhe i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, Nga ana e babait, Joni Keta është dhe nipi i Myslym Ketës, i cili për kontributin e tij të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”./ZËRI

