TIRANË-Kreu i ARRSH-së Ami Kozeli ka dalë në një konferencë për mediat pasditen e kësaj të marte, më 24 shkurt, lidhur me bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec dhe bypassit të ri. Kozeli ka zbardhur vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit Teknik. Ndër vendimet e marra është ndërtimi i një rruge të re provizore në shtratin e Lumit Shkumbin, prishja e urës ekzistuese si dhe devijimin e shtratit të lumit që prek trupin e hekurudhës.
Në fjalën e tij, Kozeli nuk ka dhënë një afat kohor se sa do të zgjasë ndërtimi i rrugës së re. Ai theksoi se fenomeni ka ndodhur si pasojë e marrjes së inerteve në lumin Shkumbin.
Kreu i ARRSH Ami Kozeli: Pati spostim mbi 30 cm, do të shembim urën. Në mbledhjen e djeshme, datë 24 shkurt, u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Prishja e urës ekzistuese dhe lehtësimi i ngarkesës në rrugën e rrëshqitur deri në ndërtimin e një skarpate natyrale. Sistemi dhe disiplinimi i urave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes. Devijimi i rrjedhës së Lumit që aktualisht godet trupin e hekurudhës për të garantuar mbrojtjen e saj dhe shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës. Aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës. Ky aks i ri është 1.3 km nuk mund të them një afat konkret kohor. Përgënjeshtroj që fenomeni ka ndodhur si pasojë e marrjes së inerteve. IKMT ka zhvilluar kontrollet dhe nuk ka rezultuar që kjo ka ndodhur si pasojë e punimeve të kompanisë kontraktore. Në atë zonë prej vitesh ka erozion.
Prej katër ditësh, aksi rrugor Librazhd-Prrenjas është i pakalueshëm. Situata u përkeqësua që prej ditës së shtunë (21 shkurt), ku rruga është shkëputur duke rrezikuar shembje totale si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Segmenti u mbyll për shkak të shembjes së urës në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e djeshme (23 shkurt)./ZËRI