TIRANË- Me këtë biletë nuk do të shkojmë në Europë! Transporti publik prej vitesh ka qenë një temë e diskutuar gjerësisht, për kushtet e brendshme, për oraret, për mungesën e linjave, për shpejtësinë etj. Në shumë qytete në Shqipëri kemi mungesë të linjave urbane brenda qyteteve, e ndërsa në kryeqytet kemi dhjetra linja por ende problematike.
Po çfarë pritet të ndodhë me transpotin publik qytetas dhe ndërqytetas? Sa larg është Shqipëria me cilësinë e transportit urban krahasimisht me vendet e BE-së?
Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim më datën 01.10.2025 për krijimin e shoqërisë aksionere “MobAl” SHA me kapital 100% shtetëror, e cila do të ofrojë operimin dhe organizimin e transportit publik rrugor në të gjithë Shqipërinë.
Në nenin 7 të këtij vendim, thuhet se kjo kompani ka si objekt veprimtarie: operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike, transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, krijimin e infrastrukturës së operimit përfshirë: parkun e autobuzave, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik etj.
Kompania MobAl SHA është regjistruar dhe në QKB me 30 dhjetor 2025 me adiminstrator Henri Telharaj, dhe është 100% nën zonëtrim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kompania është krijuar me një kapital themeltar prej 10 milionë lekësh.
Po ashtu kompanitë private të linjave urbane që operojnë aktualisht nën ombrellën e bashkive, tashmë do të licensohen nga shtatori në kompaninë shtetërore. Me pak fjalë bashkive do t’iu hiqet adiministrimi i këtyre kompanive dhe do i kalojë Ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjitikës.
Agjenci Kombëtare për Transportin MobAl thuhet se në fazën fillestare do të ofrojë shërbime në 7 itinerare turistike kombëtare, transport publik shkollor në tre zona të vendosura strategjikisht në veri, jug dhe juglindje, aty ku nxënësit kanë vështirësi në aksesimin e shkollës. Vënia në funksion e një flotë prej rreth 100 autobuzësh elektrikë me standarde të reja sigurie. Po ashtu implementimin e sistemeve elektronike të biletave, dhe GPS/AVL, për monitorim në kohë reale dhe shërbim të besueshëm për qytetarët.
Le të ndalojmë pak tek kjo e fundit!
Sipas vendimit të qeverisë, aktiviteti i “MobAl” do të nisë në shtator 2026, ku të ardhurat do të sigurohen nga shitja e biletave elektronike, tarifat për operatorët e tjerë të transportit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme. Po ashtu kompania shtetëore do të ofrojë shërbime teknike si: sistemet e karikimit, serverët e të dhënave etj.
Aktualisht në transportin publik, kemi bileta fizike dhe jo elektronike në të gjitha linjat e transportit qytetas që janë trasporti brenda qytetit dhe ndërqytetas trasporti nga një qytet në tjetrin. Po ashtu një shqetësim i kohëve të fundit ka qenë edhe rritja e çmimit të biletës për një nga linjat e transportit publik, atë të Kamëz. Në fillim të nëntorit u rrit me 10 lekë çmimi i biletës së trasnportit, nga 40 lekë në 50 lekë. Po ashtu u rrit edhe çmimi i abonesë mujore, nga 1400 lekë në 1600 lekë. Kompania Shpresa AL, e rriti çmimin e biletës pas vendimit të marrë në Këshillin Bashkiak Kamëz, në datën 26/09/ 2025, pas kërkesës së operatorit privat të licensuar që menaxhon shërbimin e dy linjave, Kamëz- Tiranë dhe Paskuqan-Tiranë. Aktualisht Kamza ka çmimin më të lartë të transportit publikë në të gjithë vendin.
Vlen të theksohet se SHPRESA-AL SHPK është i vetmi operator i licencuar për ofrimin e shërbimit të transportit urban në Kamëz, duke zotëruar kështu pozitë dominuese në treg, si i vetmi konkurrent. Pas ankesave publike të bëra, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimin me 23 dhjetor 2025 për rritjen e menjëhershme të çmimit të biletës nga kompania SHPRESA-AL, që është nën zotërim 100% të biznesmenit Lush Osmani.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se nuk janë administruar analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave të biletave dhe aboneve është e mbështetur në rritje reale të kostove, është ekonomikisht e nevojshme dhe e justifikuar mbi baza objektive të tregut. Hetimi do të fokusohet nga janari deri në dhjetor të vitit që lamë pas, për të verifikuar qëllimin e rritjes së biletës apo nëse kjo rritje përbën kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës.
Së bashku me propzimet, kushtet aktuale dhe përpjekjeve të qevrisë për të përmirësuar cilësinë e transportit publik, vlen të shohim se si është situata në disa vende të Bashkimit Europian. Në Shqipëri kemi vetëm transportin publik me urbane, autobuza dhe taksi. Jo linja hekurudhore, metro apo tram, siç kanë shumë vende në BE.
“Çmimet për biletat dhe abonimet e transportit publik në rajonet dhe zonat metropolitane të Evropës nuk bazohen në rezultatet e tregut, por në rezultatin e negociatave politike. Çmimet e transportit publik përcaktohen në nivel lokal ose rajonal.
Transporti publik i përballueshëm është aktualisht një përparësi e lartë në të gjithë Evropën dhe pa dyshim do të fitojë më shumë rëndësi për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballen europianët aktualisht.” - kështu shkruhet në një dokumet me titull “Konteksti i Transportit Publik” të dalë nga BE.
Si në Shqipëri, edhe në Europë autobusët janë forma më e përdorur e transportit publik, duke shërbyer qytete, si dhe zona periferike dhe rurale. 55.7% e të gjitha udhëtimeve me transport publik në Bashkimin Evropian (ose 32.1 miliardë udhëtime pasagjerësh në vit) kryhen me autobusë urbanë dhe periferikë. Biletat në Europë kanë disa opsione eletronike dhe fizike, bileta për një udhëtim të vetëm, bileta 24-orëshe ose bileta shumëditore që mbulojnë autobusë, tramvaje dhe metro.
Edhe Kosova e cila nuk është në BE ka një funksionim ndryshe në transportin publik, sidomos Prishtina. Përmes aplikacionit E-Bus, mund të lokalizohen autobusët dhe stacionet afër vendndodhjes tuaj. Biletat kanë kosto të ulët, vetëm në një drejtim bileta në Prishtinë kushton 50 cent. Bileta ditore për vajtje-ardhje pa limit kushton 80 cent. Ndërsa bileta mujore kushton 12.00 euro. Ndërsa përfitojnë transport publik falas fëmijët, studentët, pensionistë, ushtarët, veteranët e luftës, si dhe të gjithë punonjësit e administratës së kryeqytetit.
Pra Shqipërisë i duhet të bëjë shumë hapa para për rregullimin e transportit publik për qytetarët. Gjithsesi na mbetet të presim shtatorin e këtij viti për të parë ndryshimet që do të ndodhin me krijimin e kompanisë MobAl dhe a do të ketë progres në cilësinë e transportit publik. Deri atëherë na mbetet të udhëtojmë në këto linja dhe në këto kushte! /ZËRI