
TIRANË- Janë zbardhur mesazhet që efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët u vunë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë shkëmbyer me persona të botës së krimit. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka publikuar mesazhet që në të cilat një trafikant tregon i shqetësuar “kam investuar 250 dhe do fitoj 650 mijë euro” dhe sipas tij po humbiste shumë, “megjithëse lidhjet i kam me shtet”.
Trafikanti shkruan se herë tjetër do veprohet jashtë vendit duke kujtuar dëmin qe i është bërë prej 1.7 milionë euro pasi iu bllokua në Greqi. Sipas gazetares së Top Channel, oficerët e arrestuar dhe një tjetër në kërkim, ndihmonin për dhënien e informacionit për aksionet antidrogë.
Ndërkohë që në listën e të kërkuarve që jetojnë jashtë dhe janë në kërkim nga SPAK përveç Kristo Qiricit janë edhe Benci Toska, Shkëlqen Kraja, Xhino Nebi, Luic Bala. Dy kryesorët nga hetimi i deritanishëm janë Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj, ndërsa në bisedat e Sky ECC nga të dyshuarit përmenden edhe emra të tjerë oficerësh të policisë si dhe zyrtarë.
Operacioni i SPAK u zhvillua dy ditë më parë. Në pranga janë vënë: Shkëlzen Ruska, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë; Ervis Alisinanaj, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë; ish-efektivi Erdit Hazizaj, kandidat i Berishës për kryetar bashkie në Roskovec më 2023, ndërsa Elvis Dervishi me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, është shpallur në kërkim.