TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i rastit të aktorit Rezart Veleshnja, i cili akuzohet për mashtrim. Aktori u mor i pandehur, pasi në vitin 2024 i ka marë 45-vjeçarit, Ylli Troplini, makinën tip “Mitsubishi Pajero” dhe më pas ja ka shitur, një personi tjetër në Linzë të Tiranës.
Troplini në vitin 2024, makinën ia ka dhënë aktorit, Rezart Veleshnja, me kërkesë të këtij të fundit, pasi e kishte nënën e sëmurë dhe i nevojitej për ta çuar në spital. Por makinën e tipit “Mitsubishi”, Rezart Veleshnja e ka shitur tek një prson në Linzë të Tiranës, i quajtur Shpendi.
Sipas dosjes hetimore në 12 dhjetor 2024, gazetari Elton Qyno shkruan se Ylli Troplini, ka paraqitur kallëzim penal duke deklaruar se ai ka në pronësi një mjet “Mitbusishi” me targa AA239MM dhe këtë mjet ia ka dhënë aktorit, Rezart Veleshnja, me të cilin e ka njohur një shoku i tij, Shkëlzen Beqiri.
Shkëlzeni, i ka thënë Ylli Troplinit, që mos t’i besonte shumë Rezartit, por atij (Yllit) i ka ardhur keq pasi i ka thënë se kishte nënën e sëmurë me kancer dhe i duhej makinë për të lëvizur e për të dërguar nënën e tij nëpër spitale për vizita.
“…për këtë arsye unë ia kam dhënë edhe mjetin…”-ka pohuar Ylli Troplini.
Rezart Veleshnja, e ka marrë mjetin dhe që nga korriku i vitit 2024 nuk ia ka kthyer makinin. Kur i ka dhënë mjetin, Rezartit, prezent ka qenë edhe dy shokët e tij, Ani Shyti si dhe Gëzim Leka. Ylli Troplini thotë se për herë të fundit makinën e ka parë më 23 Gusht 2024, në Durrës, kur Rezarti i ka shkuar në varrimin e nipit të tij. Nuk ka pasur asnjë lloj detyrimi ndaj Rezartit dhe nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet mjeti i tij.
Ndërkohë si person që ka dijeni për ngjarjen është pyetur në prokurori Ani Shyti, i cili deklaron se makinën Ylli Troplini, ia ka dhënë Rezartit që nga vera e vitit 2024, dhe kanë qenë në plazh duke pirë kafe, por saktësisht emrin e lokalit se mban mend. Por sipas tij, Rezarti, i tha Yllit se i duhet një mjet pasi ka nënën e sëmurë dhe do e dërgonte në spital për analiza dhe s’kishte me çfarë ta çonte.
Ani Shyti; Kanë qenë duke pirë kafe në lagjen nr.13, Plazh Durrës. I ka thënë Yllit mos t’ia jepte makinën Rezartit sepse ai nuk i dilte garant por Yllit i ka ardhur keq. Nuk e di çka bërë Rezarti me makinën pasi nuk e ka takuar atë. Ka folur në telefon me Rezartin dhe i ka thënë që t’ia çonte mjetin Yllit pasi do t’ia jepte ai shumën prej 2 milion lekë të vjetra, por Rezarti as ia hapi më telefonin dhe as nuk shkoi të marrë lekët.
Si person që ka dijeni për ngjarjen është pyetur dhe Gëzim Leka, i cili deklaron se e njeh Ylli Troplinin dhe ka pirë kafe disa herë me të dhe ka dëgjuar në bisedë kafeje se, Ylli i ka dhënë një mjet “Mitsubishi”, Rezart Veleshnja përkohësisht pasi ai ishte pa mjet. Gjithashtu ka dëgjuar edhe Yllin që i kërkonte në telefon Rezartit që t’i kthente mjetin pasi kishte kaluar kohë e gjatë dhe Rezarti, nuk e kthente mjetin por i thoshte se: “…e kishte shitur por nuk i tregonte se ku…”.
Në dëshminë e tij Gëzim Leka thotë se nuk ka dijeni që Rezart Veleshnja të ketë bërë reklama biznesi për Ylli Troplinin pasi ky i fundit nuk ka biznes në dijeninë e tij.
Rezart Veleshnja, në dëshminë e tij tregon në takimet e para me Ylli Troplinin, se kur ka shkuar pa makinë, Ylli gojarisht i ka thënë se “…makinën e vjetër do t’ia dhuronte atij në këmbim të pagesës për reklamën dhe imazhin e pijes që ai ka bërë…”.
Veleshnja, deklaron se e ka marrë makinën dhe për arsye shëndetësore të familjarëve të tij, e ka shitur në shumën 200.000 Lekë. Ai thotë se nuk disponon kontratë me shkrim nga Ylli Troplini, por ka patur vetëm fjalë goje.
Këtë makinë ia ka dhënë një shtetasi në Linzë kundrejt pagesës prej 200.000 lekë por nuk e njeh. Në këtë moment policia gjyqësore ka ndërprerë deklarimin si person që ka dijeni, duke vijuar më pas pyetjen e Veleshnjës si person nën hetim, i cili ka deklaruar të njëjtat thënie. Gjithashtu Rezart Veleshnja ka sqaruar se makinën ia ka shitur Shpedit nëpërmjet Elisit, sepse e njeh dhe e ka shok në shumën 2.8 milion lekë të vjetra.
I ripyetur si person nën hetim Rezart Veleshnja i qëndron deklarimeve të dhëna më parë por nuk ka dhënë shpjegime duke shpjeguar se do t’i japë ato në gjykatë.
Është bërë këqyrja e telefonit celular të shtetasit Rezart Veleshnja. Këqyrja u bë në rrjetin social “Instagram”,ku në faqen e “Instagramit” Starz Energy Albania tek mesazhet e kësaj faqe shihen disa postime nga faqja e “Instagramit” e Rezart Veleshnja.
