TIRANË- Është mbyllur pak minuta më parë seanca për çështjen “Balluku” në Gjykatën Kushtetuese, pa vendim. Kushtetuesja ka theksuar se data dhe ora e vendimit do të njoftohet në një moment të dytë.
Seanca e sotme u mbajt pas ankimimit të Kryeministrit Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër. Palët që morën pjesë në seancë ishin prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Presidenti Begaj u përfaqësua nga Ilir Rusmali, këshilltar; Hemioni Braho, shef kabineti; dhe Eriola Shia, drejtoreshë e përgjithshme. Ndërkohë, Kuvendi u përfaqësua nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. Përfaqësues i Kryeministrisë në këtë seancë ishte Herald Jonuzaj.
Në nisje të seancës, kryetarja e Gjykatës, Fjona Papajorgji, komunikoi vendimin e GJKKO-së për mosqenien e saj si palë në këtë proces.
Gjykata theksoi se pjesëmarrja në seancën e sotme në Kushtetuese do të cënonte ndarjen e pushteteve: “Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj.”/ZËRI