SHBA-Detaje të reja sekrete janë zbuluar pas publikimit të 3 milion faqesh dokumente nga dosjet hetimore mbi Jeffrey Epstein. Mes të dhënave të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane, zbulohet edhe një email i datës 25 maj 2012, i cili tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, pas një vizite zyrtare në Shqipëri.
Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”
Email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike. Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo prova që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Raportohet se në vitin 2012 gjatë vizitës zyrtare, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.
Jeffrey Epstein është një figurë e përfshirë në skandale të rënda ndërkombëtare. Historia fillon në vitin 2008, kur Epstein arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida, pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare e akuzuan atë për abuzim seksual. 11 vjet më vonë, në 2019, ai u akuzua sërish për drejtimin e një rrjeti të vajzave të mitura për shfrytëzim seksual. Vetë Epstein vdiq në burg ndërsa priste gjyqin dhe vdekja e tij u shpall vetëvrasje.
Pas marrjes së detyrës nga Trump në shkurt 2025, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI publikuan fazën e parë të asaj që quajtën “dosjet e deklasifikuara të Epstein”. Në këtë publikim prej 341 faqesh, shumica e informacionit ishte tashmë i njohur, përfshirë regjistrat e fluturimeve me avionin privat të Epstein dhe një version të redaktuar të “librit të zi” të kontakteve të tij, ku figuronin edhe emra të njohur publikë.
Në dokumentet e publikuara gjatë vitit 2024, janë përmendur dhjetëra figura të njohura si miq, bashkëpunëtorë apo edhe viktima të Epstein, përfshirë Donald Trump, Princin Andrew, ish-Presidentin Bill Clinton dhe këngëtarin Michael Jackson. Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim të lidhur me Epstein.