TROPOJË-Të shtëna me armë zjarri janë raportuar gjatë mbrëmjes së djeshme (10 prill) në Tropojë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në një lokal të Bajram Currit, ku pas një konflikti për motive të dobëta, një 26-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, S. M. dhe S. D., 18 vjeç dhe plagosi njërin prej tyre. I plagosuri ka marrë ndihmën mjekësore, ndërsa autori ndodhet në arrati.
Njoftimi i policisë:
Qëlloi me armë zjarri gjatë një konflikti për motive të dobëta, në drejtim të dy shtetasve, ku si pasojë mbeti i plagosur njëri prej tyre, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë shpallën në kërkim shtetasin A. I., 26 vjeç, banues në Bajram Curri.
Ky shtetas, më datë 10.04.2026, rreth orës 23:00, në një lokal në qytetin e Bajram Currit, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve S. M. dhe S. D., 18 vjeç, banues në Bajram Curri.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në dorë shtetasi S. M., i cili mori ndihmë mjekësore dhe u largua për në banesë.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.