TIRANË-Vetëvrasja me fostoksinë e një vajze 25-vjeçare, Xhuana Nikolli, në një banesë në Tiranë ku jetonte me motrat e saj, ende nuk ka gjetur drejtësi. Një muaj nga ngjarja tragjike, por nuk ka asnjë gjurmë nga autori i shpallur në kërkim dhe njëherësh ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi.
Autoritetet dyshojnë se ish-bashkëshorti i të ndjerës, ka ushtruar dhunë ndaj saj duke e shtyrë t’i japë fund jetës. I riu 25-vjeçar dyshohet se u riktheu nga jashtë shtetit më 9 mars, dhe i shkoi në banesë ish-bashkëshortes, ku ka dyshime të forta se ka ushtruar dhunë. Xhuana Nikolli u vetëvra një ditë më pas, mëngjesin e 10 marsit dhe i la një letër prindërve.
Dyshja kishin kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në verën e vitit 2025, por pas tre muajsh u divorcuan pas konflikteve të vazhdueshme. Nuk dihet nëse gjatë martesës, ka pasur edhe historik të dhunës në familje. Prindërit e Xhuana Nikollit kanë bërë kallëzim në polici ndaj ish-bashkëshortit të saj, duke e akuzuar se dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar prej tij e shtyu vajzën drejt vetëvrasjes. Edhe gjatë ekzaminimit të trupit të pajetë të 25-vjeçares, janë konstatuar shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër. Sipas burimeve, në të ajo shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.
Por teksa muaji i parë nga ngjarja tragjike mbyllet, personi që Xhuana Nikolli, i referohet në letër se e ka lënduar është ende i lirë./ZËRI

