Aktualitet

Klosi kundër bashkimit me Matin, mblidhet Këshilli Bashkiak! Kryebashkiakja: Do të jem krah qytetarëve

Mësohet se në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët janë shprehur unanimisht kundër bashkimit me Matin.

zh.ll
Klosi kundër bashkimit me Matin, mblidhet Këshilli Bashkiak!
keshilli bashkiak klos-valbona kola

KLOS- Këtë të enjte është mbledhur Këshilli Bashkiak i Klosit për të diskutuar mbi propozimin e mazhorancës socialiste për reformën territoriale. Sipas draftit të PS, parashikohet shkrirja e Bashkisë Klos me atë të Matit.

Mësohet se në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët janë shprehur unanimisht kundër bashkimit me Matin. Sakaq, ata kanë paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.

Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, ishte gjithashtu e pranishme në mbledhje. Kola bëri me dije se projekt-propozimi i reformës ka mbërritur në bashki dy ditë më parë, duke sqaruar se dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi publik. Gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Gjatë fjalës së saj në mbledhje, kryebashkiakja Kola theksoi se do të jetë në krah të banorëve duke garantuar se qëndrimi i Bashkisë Klos do të bazohet te mendimi i komunitetit.

"Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak, të dashur pjesëmarrës dhe bashkëqytetarët e mi. E di që sot jeni sy e vesh dhe prej ditësh në fakt prisni reagimin e Bashkisë. Reagimi i kryetarit të Bashkisë është institucional. Dua të bëj më dije se para dy ditësh ka ardhur projektligjidhi dhe propozimi i deputetëve të mazhorancës për reformën territoriale administrative. Brenda këtyre 60 ditëve kemi kohë mjaftueshëm për të zhvilluar dëgjesa publike. Unë dua të bëj me dije se karrigia e bashkisë është e qytetarëve. Unë si e zgjedhur do të jem me mendimin e qytetarëve", tha Kola.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të nisin dëgjesat publike në të gjithë territorin e Bashkisë Klos, ku qytetarët do të kenë mundësi të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me reformën administrativo-territoriale./ZËRI

Poll

MOS HUMB