
TIRANË- I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dalë sërish në gjyq. Sot, në dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka treguar për marrëdhënien e tij me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Erjon Alibej. Në procesin për “Plumbi i Artë”, Dumani i është përgjigjur edhe sot pyetjeve të avokatëve të të pandehurve. Edhe njëherë ka treguar sesi është njohur me Talo Çelën dhe sesi më pas kishte rënë në kontakt me Erion Alibejn.
Dumani pretendon se Alibejn nuk e kishte takuar me qëllimin për të vrarë njerëz, por kishin përfunduar duke bërë një listë me "armiqtë" e përbashkët që donin t'i hiqnin qafe.
“Në fillim për Erion Alibeaj më ka vënë në dijeni Elio Bitri, se ai po interesohej për mua. Jemi takuar disa herë me Bitrin. Më tha që Erion Alibej mendon se ju keni gjuajtur. Unë e mohova, se nuk kisha lidhje. Unë duke qenë i sigurt që nuk kisha lidhje dhe as vëllai kam kërkuar takim. Elio komunikonte me Arjan Spahiun, që nuk ishte në Shqipëri në atë kohë. Më ka kërkuar Elio një natë. Erdhi Elio më mori. Takuam Arjan Spahiun, njeri i afërm i Alibejt, për të sqaruar që nuk isha unë personi që ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij dhe familjarëve. Më bëri kontroll fizik, pasi do takonim mikun e tij. Me një Mercedes shkuam tek një pallat ku takova Erion Alibeajn. Kur kam takuar Erjon Alibejn nuk shkuam për të bërë pazare për vrasje. Unë shkova të takoja Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Në takimin e parë që bëra me Alibejn, për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Pasi kisha marrë vesh që Talo Çela do na vriste dhe vendosëm me Erjonin që të godasim, i thashë do godasim nga Durrësi. Talo Çela donte të na vriste, më informoi dhe miku im Fatmir Troplini,"- rrëfeu Dumani në sallën e gjyqit.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI