LIVE UPDATES

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e mohojnë: Përdori fjalën "s'ke turp"

➤ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj publikoi sot nga qelia e paraburgimit të Durrësit një pjesë nga procesverbali i seancës gjyqësore. ➤ Në procesverbal ishte debati i tij me prokurorin Ols Dado. ➤ Sipas Veliajt, prokurori i është referuar duke i thënë “ndyrësirë”. ➤ Deklarata e Veliajt ëhstë kundërshtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe SPAK. GJKKO thotë se në intervalin kohor, të cilit i referohet Veliaj në postimin e tij, në procesverbal nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësisë” nga ana e prokurorit Ols Dado. ➤ Ndërsa Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar publikoi pjesën e pretenduar nga Veliaj të procesverbalit të seancës gjyqësore. ➤ Sipas tyre, prokurori nuk ka përdorur frazën "ndyrsirë", por "s'ke turp".

5 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Prokurori e ofendoi "ndyrsirë"? Avokati i Veliajt për BIRN: Transkriptimi është bërë nga persona të tjerë

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
Erion Veliaj

TIRANË- I burgosur prej 14 ditësh me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po bën traditë publikimin e postimeve të gjata në faqen e tij në “Facebook”, të mbushura me fyerje dhe kërcënime në adresë të prokurorit Olsi Dado, por edhe të gjyqtarit të masës së sigurisë, Erjon Bani.

Të hënën, Veliaj publikoi një imazh, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të dialogut të ndodhur në sallë e gjyqit.

“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!”, shkroi Veliaj.

Në faksimilen e transkriptit të publikuar nga Veliaj, prokurori Olsi Dado pretendohet t’i ketë thënë atij: “Ndyrësirë”. Por e pyetur nga BIRN, Gjykata e Posaçme e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se transkripti i seancës i publikuar nga Veliaj nuk ishte i vërtetë.

“Pjesa e procesverbalit të publikuar nga personi nën hetim, Erion Veliaj në rrjetin e tij social “Facebook” është e pavërtetë”, deklaroi GJKKO në përgjigje të pyetjeve nga BIRN.

Gjykata shtoi se ndryshe nga sa pretendon kryebashkiaku në Facebook, fjala “ndyrësirë” nuk është përdorur në asnjë rast.

“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim, Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment,” thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Posaçme.

Në një reagim të ngjashëm, edhe SPAK mohoi vërtetësinë e procesverbalit të publikuar nga Veliaj.

“Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së,”- thuhet në njoftimin e SPAK, të cilit i bashkëlidhet pjesë nga procesverbali i saktë i seancës.

I pyetur nga BIRN, avokati i Veliajt, Ermir Beta tha se e kishte të vështirë të ishte i saktë për termat e përdorur në seancë.

“Unë i kam vënë në dispozocion klientit audion e seancës. Transkriptimi i saj është bërë nga persona të tjerë. Seanca e datës 12 shkurt ka qenë plot debate, përtej sferës juridike, ndaj e kam të vështirë të jem i saktë për çdo term që ka përdorur prokurori ndaj klientit në seancë,”- tha Beta për BIRN.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.

Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat, ndërkohë që e kanë portretizuar veten si të persekutuar politikisht nga prokurori i SPAK, Olsi Dado./BIRN

3 MUAJ ME PARE

Veliaj akuzon prokurorin Ols Dado se i tha "ndyrësirë", SPAK nxjerr procesverbalin: Nuk e ofendoi!

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar pjesën e pretenduar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili pretendon se gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, prokurori Ols Dado e ka ofenduar duke i thënë "ndyrsirë". Në dokumentin e nxjerrë prej tyre, SPAK thekson se në procesverbal, në faqen 292, prokurori nuk e ka ofenduar. Madje kanë zbuluar edhe replikat mes tyre, të cilat nuk kanë lidhje me pretendimet Veliajt.  

“Në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo më sipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së,”- njoftoi SPAK.

Sipas SPAK, debati mes prokurorit Ols Dado dhe Erion Veliajt ka qenë i tillë:

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e

Prokurori Ols Dado: S’ke turp që thua banesën e prokurorit, ça është kjo, kërcënim është ky që tregon banesën e prokurorit?

Erion Veliaj: Nuk po bëj asnjë kërcënim, unë besoj që është konflikt interesi, prokurori mendon që kjo është sjellje normale, unë mendoj që s’është normale.

Pas përgënjeshtrimit të bërë nga SPAK dhe GJKKO, nuk ka një reagim tjetër nga ana e kryebashkiakut Veliaj./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Veliaj publikoi debatin me prokurorin, GJKKO e hedh poshtë: Postimi nuk është i vërtetë!

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
Erion Veliaj dhe Ols Dado

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organziuar ka reaguar zyrtarisht pas postimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili publikoi transkriptimin e replikave gjatë seancës gjyqësore. Sipas kryebashkiakut, prokurori Ols Dado i është drejtuar me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. Por, në deklaratën zyrtare GJKKO deklaron se debati i publikuar nga Veliaj nuk është i vërtetë.

Gjykata e Posaçme e hedh poshtë këtë transkript, duke deklaruar se në asnjë moment nuk rezulton të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit.

“Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.

Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, shkruhet në reagimin e GJKKO-së.

Çfarë ndodhi në seancën e 12 shkurtit?

Erion Veliaj në seancën e zhvilluar në GJKKO më 12 shkurt pati një përplasje me prokurorin Ols Dado, të cilit i ka thënë se është në konflikt interesi për një leje ndërtimi. Gjithashtu, kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se Dado ka mbetur i pakënaqur me marrëveshjen për lejen e ndërtimit dhe është hakmarrë ndaj tij.

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.

Në përgjigje, prokurori është shprehur: Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar. Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Veliaj nxjerr bisedat me prokurorin e SPAK, Berisha: Mos kërcëno!

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi në lidhje me transkriptet e publikuara nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili pretendon se është ofenduar nga prokurori Ols Dado në sallën e gjyqit. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha tha se publikimi i bërë nga Veliaj nuk është një denoncim, por është një kërcënim personal. Në një konferencë për gazetarët, kryedemokrati Berisha tha se Partia Demokratike kishte shqyrtuar të gjitha modalitetet për ta paditur kryebashkiakun, por nuk ka gjetur hapësirën ligjore. Ndaj edhe Berisha pretendon se po mban një qëndrim publik.

"Dënoj me forcën më të madhe aktin kriminal, të dënueshëm, të Erion Vjedhësit, Erion Hajdutit, kërcënimin me personale të Olsi Dados. Tani unë e kam pak ndryshe problemin këtu. Sigurisht unë jam kundër çdo kërcënimi personal. Nuk mund të ketë kërcënime personale, se pastaj është vetëgjyqësi. Por mesazhi që jep ky hajdut, që ka hyrë në analet botërore si një nga hajdutët më të këqij në Europë, dhe e shoqja e tij si Lajla Asadi me garderobë 1 milionë, është mesazhi i kërcënimit me jetë të dëshmitarëve. Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht. Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Nuk ka. Kodi i këtij mesazhi është kërcënimi i dëshmitarëve, të cilët kanë merita, duhet t’i pranojmë. Çdo njeri që pranon të zbardhë një krim, ka merita të padiskutueshme. Ndaj dhe i them Erion Veliajt se me asgjë nuk mund të shpëtosh nga krimet dhe mos guxo të kërcënosh dëshmitarët se do përgjigjesh shumë rëndë. Po të jetë puna për ata skapistë, ata të kursyen ty djegësin 130 milionë euro, që nuk ekziston kund. 5D-në që vetëm hoteli i qeltë kushton 75 milionë euro gjer tani, 20 e ca katesh, hoteli më gjigant në Shqipëri. Ndaj dënoj këtë akt, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e Edi Ramës, i cili më falni për shprehjen, nuk po e përdor atë fjalën që duhet të përdor, por nga mëngjesi gjer në darkë nuk i pushon goja dhe nuk gjeti tre fjalë për të dënuar këtë akt. Çka lë të nënkuptohet se janë në sintoni me njëri-tjetrin,"-tha kryedemokrati ndër të tjera në fjalën e tij.  

3 MUAJ ME PARE

'Lexojeni'! Veliaj publikon pjesë nga debati me Ols Dadon në GJKKO, prokurori: Ndyrësirë, s’ke turp...

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
Erion Veliaj dhe Ols Dado

TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia e paraburgimit në Durrës. Veliaj ka publikuar një pjesë të debatit mes tij dhe prokurorit Ols Dado, që kanë ndodhur në sallën e gjyqit më datë 12 shkurt, kur u vendos konfirmimi i “arrestimit me burg”. Në procesverbalin e publikuar nga vetë Veliaj në një postim në Facebook, dallohet se prokurori Dado i është drejtuar kryebashkiakut me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. 

Debati brenda seancës:

Ols Dado: Ndyrësirë! S'ke turp që thua, tregon banesën e prokurorit këtu, ç'a është ky, kërcënim është ky? Është kërcënim ky që tregon banesën e prokurorit?

Erion Veliaj: Asnjë kërcënim.

Erion Bani: Prokuror, ulu!

Ols Dado: A? Ç'a është ky? Kërcënim është ky?

Erion Veliaj: Unë besoj është konflikt interesi. Prokurori mendon që edhe kjo sjellje është normale, por kjo s'është normale.

Ols DadoE kam mesazhin këtu.

Erion Veliaj: Por, kam të drejtë të them që s'është normale.

Erion Bani: Prokuror!

POSTIMI I ERION VELIAJT:

Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më.

Veliaj akuzon prokurorin se i tha ndyrësirë, GJKKO dhe SPAK e
DOKUMENTI

Çfarë ndodhi në seancën e 12 shkurtit?

Erion Veliaj në seancën e zhvilluar në GJKKO më 12 shkurt pati një përplasje me prokurorin Ols Dado, të cilit i ka thënë se është në konflikt interesi për një leje ndërtimi. Gjithashtu, kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se Dado ka mbetur i pakënaqur me marrëveshjen për lejen e ndërtimit dhe është hakmarrë ndaj tij.

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.

Në përgjigje, prokurori është shprehur: Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar. Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB