TIRANË- Ministria e Drejtësisë ka publikuar një draft për Kodin e Ri Penal ku parashikohen të ndodhin një sërë ndryshimesh ligjore. Kodi i ri Penal do të zëvendësojë atë aktual të vitit 1995, në mënyrë që të reflektojë 61 direktiva të BE-së në fushën penale. Drafti që është punuar për rreth 3 vjet, do të duhet të marrë aprovimin e Bashkimit Europian, dhe në rast se nuk kundërshtime atëherë do të shkojë në Kuvend për miratim me shumicë. Kodi i ri që synon të jetë i qëndrueshëm për 20–30 vitet e ardhshme do të prekë shtresat thelbësore të shoqërisë.
Kodi i ri Penal përdor një gjuhë më të qartë e moderne. Ai përfshin një seksion të posaçëm me përkufizime, duke e bërë më të lehtë kuptimin dhe zbatimin e ligjit, duke dhënë një përkufizim të qartë të fajësisë dhe formave të fajit: dashje direkte, eventuale, pakujdesi.
Gjithashtu, Kodi i ri organizon veprat penale në mënyrë më logjike dhe me më pak përsëritje – për shembull, krimet seksuale, korrupsioni, dhuna familjare, janë të grupuara qartë. Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me lirimin e të dënuarve përjetë. Një i dënuar i përjetshëm lejohet të përfitojë nga ligji pasi ka shlyer jo më pak se 35 vjet burg, nëse ka shfaqur pendesë dhe vlera etike e shoqërore. Gjithsej janë bërë 30 ndërhyrje, theksoi ministri, i cili shtoi se kodi i ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe. Pas kalimit në Bruksel, do t’i kalojë Kuvendit e Parlamentit për t'u diskutuar dhe më pas për t'u miratuar.
Si parashikohen dënimet për veprat penale, sipas Kodit Penal të ri krahasur me Kodin Penal aktual?
-Mashtrimi do të ndëshkohet me 5 vjet burg, krahasuar me maksimale 3 vjet në ligjin aktual (mashtrimi bazë do të dënohet me 5 vite burg, por në rrethana të rënduara shkon deri ne 10 vjet)
-Për trafik droge, kodi i ri parashikon dënime nga 5 deri 15 vjet burg, ndërsa kodi aktual kishte maksimum 10 vjet në raste të rënda
-Mosha e përgjegjësisë për marrëdhënie seksuale me të mitur. Mosha e lejueshme rritet nga 14 në 16 vjeç, dhe dënimi parashikon nga 5 deri 10 vjet burg (mosha mbi 14 nëse ka konsensus, nuk përbën vepër penale, ndërsa nën 16 vjeç ndëshkohet edhe nëse ka konsensus)
-Burg për bigaminë, dënime deri në 4 vjet për martesë të dyfishtë (lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale). Bashkëjetesa e një personi të rritur me një të mitur 14-16 vjeç për qëllime martesore dënohet me 4-8 vjet burg. Bashkëjetesa me të mitur 16-18 vjeç dënohet me 2-5 vjet burg. Prindi, kujdestari ose personi që ushtron autoritet prindëror dhe nxit bashkëjetesën me të miturin 14-18 vjeç dënohet me 5-10 vjet burg. Nëse bashkëjetesa kryhet me person nën 14 vjeç, dënimi është 8-16 vjet burg.
Në rast të përfitimit pasuror nga kjo vepër penale, dënimet në secilin rast shtohen deri në gjysmën e dënimit fillestar.
-Evazioni fiskal dhe kontrabanda trajtohen me rreptësi: dënim deri në 10 vjet burg për kontrabandë dhe humbje të privilegjeve të gjobave në favor të burgimit të mundshëm (zakonisht zgjidhet administrativishtm, por në raste evazioni me vlera të larta merret dënim me burg)
-Paraburgimi dhe llogaritja e tij. Një ditë paraburgimi vlerësohet si një ditë burg (kundrejt 1.5 ditë në ligjin aktual), duke rezultuar në dalje më të hershme nga burgu për të paraburgosurit
-Mbrojtje më e madhe për pronën dhe reagim ndaj agresionit në banesë. Zgjerohet parimi i mbrojtjes së pronës (vetëmbrojtja në shtëpi nuk kërkon më proporcionalitet të rreptë – parashikohet si e “ligjshme në çdo rast”)
-Konfiskimi i pasurive nga vepra penale parashikon konfiskimin e mjeteve dhe të ardhurave nga krimi, por shpesh kërkon vendim përfundimtar (pasuritë që nuk justifikohen ligjërisht mund të konfiskohen edhe në mungesë të një vendimi penal)
-Të dënuarit me burgim të përjetshëm, mund të kërkojnë që të gjithë lirim me kusht pasi të kenë shlyer jo më pak se 35 vite burgim. Referuar Kodit Penal aktual, të dënuari me burgim të përjetshëm nuk kanë të drejtë të kërkojnë lirim me kusht, përjashtuar vetëm në dy raste ekstreme. Sipas Kodit të ri: Gjykata, kur pranon kërkesën, urdhëron të dënuarin me burgim të përjetshëm që të mbajë kontakte me shërbimin e provës për një periudhë pesëvjeçare nga dita që vendimi merr formë të prerë dhe të përmbushë disa nga detyrimet e të dënuarit gjatë nënshtrimit në shërbimin e provës të parashikuara nga ky Kod.
-Prishja e qetësisë publike, me Kodin e ri Penal pritet të ulet dënimi për personat që prishin qetësinë publike. Kjo vepër penale do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Ndërsa sipas Kodit Penal në fuqi, kjo vepër dënohet me gjobë ose deri në dy vite burg. Por do të ashpërsohen masat për organizatorët e aktiviteteve që tejkalojnë kushtet e përcaktuara në leje. Sipas Kodit të ri Penal, kur kjo vepër kryhet nga persona të pajisur me leje për organizimin e aktiviteteve të zhurmshme, por në shkelje të kushteve të vendosura nga autoritetet, dënimi penal rritet me një të dytën e masës së parashikuar.
-Përdorimi i paligjshëm të imazhit, lidhur me keqpërdorimin e imazhit të një personi tjetër për të hapur një profil të rremë në rrjetet sociale apo në çdo faqe tjetër, do të dënohet me gjobë dhe me 3 vite burg. Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar.
-Krimet kibernetike, mund të dënohet me burgim nga gjashtë deri në tre vjet burg. Por, po ashtu, është menduar edhe për ngacmimin kibernetik. Në këto raste dënimi mund të jetë nga një deri në katër vjet.
-Surrogacia me qëllim fitimin dënohet me gjobë ose deri në 3 vjet burg.
- Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja e ndershme dhe e arsyeshme, është objektivisht e pashmangshme.
- Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë që ka shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda. Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç̧, apo kur janë rastet e parashikuara në këtë Kod, edhe për personat që nuk kanë mbushur moshën 21 vjeç si dhe ndaj grave.
-Ndalimi i së drejtës për t’u zgjedhur në organet legjislative kombëtare apo vendore, për një kohë jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet deri në njëzet e pesë vjet, jepet ndaj personit që ka kryer një krim që lidhet me krimet zgjedhore, ushtrimin e detyrës duke shpërdoruar funksionin publik ose, kur ka kryer një krim për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se pesë vjet.
Ky Kod i ri Penal përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie më të drejtë, më efikas dhe më të përshtatur me realitetin aktual shoqëror e juridik të vendit, duke vënë në qendër mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, garantimin e rendit publik dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
DOKUMENTI ME DRAFTIN E RI: SHIKO MË POSHTË ⇓