TIRANË-Tymi vijon të dalë edhe sot nga pallati i kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në Tiranë, ku rreth 30 apartamente u shkrumbuan nga zjarri që vijoi prej orësh një ditë më parë. Disa apartamente janë djegur plotësisht, ndërsa një bilanc i plotë rreth dëmeve, pritet në orët në vijim.
Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në terren për vlerësimin e plotë të situatës dhe për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Dyshohet se shkaku i mundshëm i zjarrit ka qenë ndezja e disa kartonave pranë një marketi, në katin e parë të pallatit, e më pas është përhapur në katet e mësipërme. Megjithatë hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Situata tragjike u pasqyrua një ditë më parë nga pamjet e siguruara nga ZËRI, ku banorët u gjetën të papërgatitur teksa flakët përfshinë fasadën e kompleksit. Dhjetëra banorë u evakuuan, ndërsa ndërhyrje u bënë nga toka dhe ajri. 7 persona u trajtuan në QSUT për shkak të asfiksisë, mes tyre edhe zjarrfikës.
Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për shpërndarje të zjarrit./ZËRI
