Aktualitet

Konfiskohet apartamenti i ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

Përveç sekuestros së pasurisë, Dedja u dënua edhe me 6 muaj burgim, masë e cila iu konvertua në 1 vit shërbim prove.

k.m.
Konfiskohet apartamenti i ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim
Bashkim Dedja

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfiskuar apartamentin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili është shpallur fajtor për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Apeli i GJKKO-së vendosi që të linte në fuqi vendimin e shkallës së parë për deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Përveç sekuestros së pasurisë, Dedja u dënua edhe me 6 muaj burgim, masë e cila iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Sipas vendimit të Apelit, ish-gjyqtarit i është sekuestruar një apartament 60 m2, e cila ishte regjistruar në  emër të një personi tjetër, i identifikuar vetëm me inicialet L.D.

VENDIMI:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 22.04.2022 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskimin e pasurisë së paluajtshme në zotërim të subjektit Bashkim Dedja, të pasurisë me nr. ****, apartament me sipërfaqe 60 m2, vol. ****, fq. **** e ndodhur në zonën kadastrale ****”, person i lidhur L.D. 2.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 3, 4, 6, 7, 11, 12, 21, 22, 24, 27 pika 2 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”(të ndryshuar), me vendimin Nr. 5, datë 24.04.2025, vendosi:

Konfiskimin e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, rregjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Urdhërohet sekretaria e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të tij Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit. 3. Shpenzimet gjyqësore sikurse janë bërë. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Bashkim Dedja u dënua më 26 qershor 2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por Kolegjit të Posaçëm i Apelimit e rrëzoi këtë vendim pasi ai kishte një apartament në Golem, por pretendonte se ishte i vëllait. Ishte kontrata e OSHEE ajo që e nxorri zbuluar. SPAK nisi hetimet ndaj tij në maj të vitit 2020, pasi ai dyshohej se kishte pasuri të paluajtshme që nuk justifikohej nga burimet e ligjshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB