TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë masash të reja për forcimin e kontrollit mbi ndërtimet. Në mbledhjen e sotme me deputetët dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Rama tha në momentin që po fliste, aksioni po vijonte edhe në Vlorë, ku një pallat i tërë është vendosur në sekuestro nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit. Nga terreni, drejtoresha e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, mori pjesë në inspektimet në Vlorë. Për mediat, Bici u shpreh se kjo ndërtesë do t’i kaloj shtetit.
“Në vazhdën e kontrolleve ashtu si he ka ndodhur me objekte të tjera më parë ky objekt do të konfiskohet dhe do ti kalojë shtetit për interes publik. Jam këtu për t'iu bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cënuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi me qëllim për të garantuar respektimin e ligjit sigurimin e komunitetit dhe interesin publik,”- tha Bici, teksa më tej theksoi se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të vijojë punën në të gjithë Shqipërinë me qëllim për të çliruar hapësirat publike të cilat janë zaptuar në shkelje flagrante të ligjit.
Pamjet e aksionit i ndau edhe kryeministri në rrjetet e tij sociale. Rama theksoi se punonjësit e bashkive që kryejnë akt-kontrollin në çdo fazë të ndërtimit, por që mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i referohen prokurorisë për veprat e mundshme penale. Kryeministri nënvizoi se “symbyllësit”, që përfshijnë inspektorët, shefat e bashkive, punonjësit e policisë dhe çdo tjetër që abuzon me pozitat e tij, do të mbajnë përgjegjësi të fortë, si në aspektin administrativ ashtu edhe penal.
“Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike, ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme. Ndërkohë së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë. Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush,”-shkruan Rama.
Që në nisje të këtij muaji, Rama ka paralajmëruar bizneset për rikthimin e hapësirave që janë zaptuar duke penguar kështu kalimin dhe qarkullimin e qytetarëve./ZËRI