TIRANË-Një aksion i përbashkët është ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe asaj të Breshias, ku janë lëshuar nga GJKKO 21 urdhër-arreste. Ndërkohë Gjykata e Breshias ka lëshuar 24 masa paraprake, përfshirë nëntë arrestime. Ende nuk dihet se për cilët individë janë lëshuar masat e arrestit apo akuzat ndaj tyre, ndërsa njëri prej ture mësohet të jetë oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj.
Operacioni është duke vijuar, ndërsa mediat fqinje bëjnë me dije se rrjeti kriminal ishte i kontrolluar nga klane shqiptare, të cilat menaxhonin importimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në territorin italian.
Bazat kryesore të aktivitetit ndodheshin në Rovato dhe Palazzolo. Në skemë janë identifikuar edhe shoferë autobusi, të cilët pa dijeninë e tyre transportonin pakot e drogës, ndërsa disa shoferë kamionësh rezultuan të përfshirë drejtpërdrejt dhe bashkëpunues me grupin kriminal.
Një total prej 49 personash janë nën hetim, 46 prej të cilëve janë shqiptarë. U sekuestruan afërsisht 3 milionë euro të ardhura nga aktiviteteve e paligjshme të klaneve. Sipas hetuesve, droga gjeneroi fitime prej afërsisht 12 milionë eurosh./ZËRI
