KOSOVË- Kuvendi i Kosovës është konstituuar zyrtarisht sot, pas zgjedhjes së Nenad Rashiçit si nënkryetar nga komuniteti serb. Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Rashiç mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së, PDK abstenoi ndërsa lista Serbe votoi kundër.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha tha se me zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
“71 vota pro, konstatoj se kuvendi zgjodhin Nenad Rashiç nënkryetar të kuvendit të Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Njoftimi për formimin e grupeve parlamentare duhet t’i dërgohet kryetarit të kuvendit jo më vonë se 7 ditë nga formimi i seancës konstituive. Konstatoj se Kuvendi është i konstituuar”, tha Basha.
Seanca e sotme e jashtëzakonshme shënon përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, proces që ka zgjatur plot 8 muaj. Pas këtij hapi, hapet rruga për formimin e qeverisë së re dhe për rifillimin e punës legjislative, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik në vend.