
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 5 vite burg ish-gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ilir Pashaj. Ai akuzohet për veprat penale korrupsion dhe mos deklarim të pasurisë. Pashaj është gjykuar me proces të shkurtuar dhe ka përfituar ulje të dënimit me 3 vite dhe 4 muaj burg.
Hetuesit e SPAK e kanë gjetur të fajshëm për 3 vepra penale, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 49, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ilir Pashaj”. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari, me vendimin Nr. 19, datë 04.03.2025 vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/1, gërma “a” i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit Ilir Dalip Pashaj me një masë të vetme prej 5 (pesë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 3 (tre) vite dhe 4 (katër) muaj burgim. Në aplikim të neneve 30/1, 35/1, 44/2 të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Ilir Pashaj, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet, dënim i cili fillon të zbatohet pas vuajtjes së dënimit me burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Në zbatim të nenit 36 të K.Penal, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të : Pasurisë së paluajtshme të llojit apartament, regjistruar me nr.****, vol.****, faqe ****, Z.K. ****, ****, me sipërfaqe **** m2, rregjistruar në emër të shtetasit Sh.B, dhe 2. Pasurisë së luajtshme të llojit autoveturë të markës Mercedes Benz, Model E200CDI, me numër shasie ****, viti i prodhimit 2008, ngjyrë gri, me targa ****, i rregjistruar në emër të D.B. Bazuar në nenin 190/1/ç të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara për këtë procedim: Praktika e aplikimit për pasaportë pranë kompanisë ALEAT të shtetasve Sh.B dhe Ilir Pashaj, t’i kthehet kompanisë që aktualisht administron këto të dhëna; Dokumentet e regjistrimit të pasurisë nr. ****, vol. ****, faqe ****, ZK. ****, ****; Kontrata e shitblerjes nr. **** rep, nr. **** kol, datë 20.09.2012, me palë A.D dhe Sh.B, t’i kthehen ASHK vendore Elbasan. Telefon i markës Samsung, sekuestruar nga shtetasi B.T, t’i kthehet këtij shtetasi. Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD të përftuara sipas akteve përkatëse gjatë hetimeve paraprake mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor. Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën **** lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurit. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.
Në vitin 2009, Pashaj ka përfituar në mënyrë të parregullt pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Po ashtu, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, një makinë, të cilën SPAK e ka konsideruar si pasuri të fshehur dhe e ka vendosur në sekuestro. Këtë mjet, Pashaj e kishte vendosur në emër të vjehrrit të tij. Por jo vetëm mjetin. Ish-gjyqtari, sipas SPAK, është kujdesur që përfitimet e parrregullta t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), e të njëjtën gjë ka bërë edhe me një apartament me sipërfaqe 105.2 m2 në Elbasan. Kështu që bashkë me mjetin, avokatit, i është bllokuar edhe apartamenti.
Si nisën hetimet për ish-gjyqtarin?
Ilir Pashaj u arrestua më 22 Korrik 2022, së bashku me gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka. SPAK dyshon se Pashaj, bashkë me gjyqtaren ka marrë para për lirimin e të burgosurit Xhulio Musaj, i cili ka qenë i dënuar për plagosje. Familjarët e tij kanë tentuar t’i ofrojnë para gjyqtares përmes avokatit të tyre mbrojtës, Ilir Pashaj, por ajo nuk e ka pranuar shumën 2 milionë lekë dhe ka kërkuar më shumë. I gjithë "pazari" ka ndodhur në vitin 2021 dhe gjyqtarja ka marrë 4 milionë lekë. Skema u zbulua nga përgjimet dhe në burg përfunduan të dy, si Vyshka, ashtu edhe Pashaj./ZËRI