
ROMË- Marrëveshja e pensioneve me Italinë u miratua! Në një seancë plenare senati italian miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. Në seancë mori pjesë edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Marrëveshja për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore u arrit më 6 shkurt të vitit 2024 dhe u firmos në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Sipas marrëveshjes shqiptarët, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës dhe po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët italianë që jetojnë në Shqipëri.
Sipas të dhënave, rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali do të përfitojnë pensione. Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet. Ndërsa rreth 4 mijë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri do të përfitojnë nga kjo marrëveshje./ZËRI