Aktualitet

Korrupsioni në Burgun e Lushnjes, pezullohet drejtori dhe nëndrejtori i IEVP-së, përjashtohet Irakli Leka

Pas rastit korruptiv në burgun e Lushnjes, janë pezulluar nga detyra drejtuesit e institucionit

E.K
Korrupsioni në Burgun e Lushnjes, pezullohet drejtori dhe nëndrejtori
pamjet e denoncimit

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përjashtuar nga detyra Irakli Lekën, pasi merrte rryshfet për t’iu dhënë leje të burgosurve që të dilnin nga qelia për disa ditë. Leka, i cili mbante postin e Shefit të Regjimit të Brendshëm në burgun e Lushnjes, u denoncua me zë dhe figurë në emisionin Stop, se merrte 700 euro nga një i burgosur, për ti dhënë atij 5 ditë leje për të dalë nga qelia. Po ashtu drejtoria e Burgjeve njofton se me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.

Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në bashkëpunim me SPAK, u bë e mundur arrestimi i Lekës, vetëm pas 30 minutash nga transmetimi i emisionit./ZËRI

Poll

MOS HUMB