ANGLI- Një 28-vjeçar shqiptar u kap duke kultivuar 195 bimë kanabisi me një vlerë të mundshme tregu prej £204,750 në një shtëpi në një zonë të banuar në Angli. Redon Selamaj u arrestua pas një aksioni të policisë të hënën më 19 gusht.
Policia zbuloi një "sistem të sofistikuar", ku shtëpia ishte transformuar në një ambient për kultivimin e kanabisit.
Gjykata e Cardiff-it mësoi se Selamaj ishte shqiptar dhe jeta e tij ishte në rrezik nga "njerëz shumë të rrezikshëm" në Shqipëri.
Sipas mediave vendase, i pandehuri i tha policisë: Më kanë kërcënuar se do të më vrasin mua dhe babanë tim. Më thanë që shtëpia ishte nën mbikëqyrje nga kamera gjatë gjithë kohës.
Selamaj, pa vendbanim të përhershëm, pranoi fajësinë për prodhimin e drogës së klasit B. Ai nuk kishte precedentë penalë.
“Ai e ka gjetur të vështirë qëndrimin në paraburgim. Nuk flet shumë anglisht. I pandehuri është beqar dhe nuk ka fëmijë. Ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar rreth një vit më parë, pasi mbërriti me varkë. Më parë ka qenë në një qendër ndalimi për emigrantët para se të lirohej. Ai ka kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe dëshiron të kthehet në shtëpi. Ai ishte një kopshtar i thjeshtë.” tha avokati i tij.
Nëse i pandehuri nuk do të kishte pranuar fajësinë, do të dënohej me 40 javë burg. Duke i aplikuar ulje për pranimin e fajësisë, gjyqtari e reduktoi dënimin në 30 javë burg. Selamaj u njoftua se do të vuajë gjysmën e këtij dënimi në paraburgim para se të lirohet./ ZËRI