TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka lënë për dy orë qelinë e paraburgimit të Durrësit. Ai është transferuar në spitalin e burgut në Tiranë, ku ka kryer disa analiza. Por nuk dihet se përse i ka kryer analizat, ka pasur ndonjë shqetësim specifik, apo ka qenë thjesht rutinë.
Pasi ka përfunduar marrjen e analizave dhe vizitat, është kthyer sërish në paraburgim.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI