Aktualitet

Lejuan kultivimin e kanabisit? AMP nis hetim ndaj zinxhirit drejtues të Policisë së Divjakës

Hetimi vjen pas zbulimit dhe sekuestrimit të 1,426 bimëve narkotike kanabis sativa të kultivuara në këtë zonë.

F.I
Lejuan kultivimin e kanabisit? AMP nis hetim ndaj zinxhirit drejtues të
pamjet nga parcela me kanabis

DIVJAKË-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetim ndaj zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Divjakë, nën dyshimin për shpërdorim detyre, pas zbulimit dhe sekuestrimit të 1,426 bimëve narkotike kanabis sativa të kultivuara në këtë zonë.

Raportohet se AMP ka referuar rastin në Prokurori, ku po hetohet vepra penale e “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se drejtuesit e Komisariatit të Policisë Divjakë nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme për evidentimin dhe goditjen në kohë të parcelave të mbjella me kanabis. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i tyre, ndërsa një njoftim zyrtar pritet nga AMP.

Hetimi lidhet me operacionin e zhvilluar pak ditë më parë në vendin e njohur si “Rezervuari i Divjakës”, ku në një sipërfaqe toke shtetërore u zbulua një parcelë e kultivuar me lëndë narkotike. Konkretish gjatë operacionit u sekuestruan 1,426 bimë kanabis sativa, 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh.

Përveç hetimit mbi uniformat e blu, goditja ka përfshirë edhe strukturat përgjegjëse për monitorimin e territorit mjedisor. Specialistët e Narkotikëve kanë referuar materialet në Prokurori duke nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM) në qarkun Fier, të cilët akuzohen po ashtu për shpërdorim detyre.

Poll

MOS HUMB