
TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia e paraburgimit në Durrës. Veliaj ka publikuar një pjesë të debatit mes tij dhe prokurorit Ols Dado, që kanë ndodhur në sallën e gjyqit më datë 12 shkurt, kur u vendos konfirmimi i “arrestimit me burg”. Në procesverbalin e publikuar nga vetë Veliaj në një postim në Facebook, dallohet se prokurori Dado i është drejtuar kryebashkiakut me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”.
Debati brenda seancës:
Ols Dado: Ndyrësirë! S'ke turp që thua, tregon banesën e prokurorit këtu, ç'a është ky, kërcënim është ky? Është kërcënim ky që tregon banesën e prokurorit?
Erion Veliaj: Asnjë kërcënim.
Erion Bani: Prokuror, ulu!
Ols Dado: A? Ç'a është ky? Kërcënim është ky?
Erion Veliaj: Unë besoj është konflikt interesi. Prokurori mendon që edhe kjo sjellje është normale, por kjo s'është normale.
Ols Dado: E kam mesazhin këtu.
Erion Veliaj: Por, kam të drejtë të them që s'është normale.
Erion Bani: Prokuror!
POSTIMI I ERION VELIAJT:
Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më.

Çfarë ndodhi në seancën e 12 shkurtit?
Erion Veliaj në seancën e zhvilluar në GJKKO më 12 shkurt pati një përplasje me prokurorin Ols Dado, të cilit i ka thënë se është në konflikt interesi për një leje ndërtimi. Gjithashtu, kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se Dado ka mbetur i pakënaqur me marrëveshjen për lejen e ndërtimit dhe është hakmarrë ndaj tij.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.
Në përgjigje, prokurori është shprehur: Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar. Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI