Aktualitet

Lokali i kthyer në “fole” droge dhe bastesh sportive, arrestohen pronari dhe një 33-vjeçar

Sipas policisë, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe tre telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e lojërave të fatit.

M.K.
Lokali i kthyer në “fole” droge dhe bastesh sportive,
foto nga ngjarja

TIRANË –Një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark” është goditur nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se lokali ishte përshtatur për përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, si edhe për organizimin e basteve sportive të paligjshme.

Në kuadër të operacionit të kryer nga uniformat blu, eshtë vënë në pranga 56 vjeçari Zyfer Topulli, i cili rezulton të jëtë pronari i lokalit sipas informacioneve nga policia. Gjithashtu në pranga është vendosur edhe 33 vjecari Gerard Ereqi.

Sipas policisë, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe tre telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e lojërave të fatit.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të vënies së tyre në dispozicion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Vendtakimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. T., 56 vjeç dhe G. E., 33 vjeç.

Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit të 56-vjeçarit, në bulevardin “Zhan d’Ark”, u gjetën sasi Cannabisi dhe 3 celularë me të cilët viheshin baste sportive. Ndërkaq, 33-vjeçari u kap në flagrancë, në ambientet e lokalit, duke vënë baste, me celular.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB