Aktualitet

"I forti" i Durrësit del sot nga qelia, Lul Berisha merr leje për të varrosur të atin

Ai do të shoqërohet nën masa të rrepta sigurië për të marrë pjesë në varrimin e babit e më pas për t’u rikthyer sërish në qeli. 

zh.ll
"I forti" i Durrësit del sot nga qelia, Lul Berisha merr leje
Lulzim Berisha

TIRANË- Drejtoria e Burgjeve i ka dhënë leje Lulzim Berishës për të marrë pjesë sot në varrimin e të atit. Ish-kreu i bandës së Durrësit, do të lërë qelinë prej orës 12:30 deri në 16:00. Ai do të shoqërohet nën masa të rrepta sigurië për të marrë pjesë në varrimin e babit e më pas për t’u rikthyer sërish në qeli. 

Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua më 14 dhjetori 2023 në Spanjë teksa fshihej në Alicante, në kuadër të operacionit “Sant Joan”. Lul Berisha fshihej në Spanjë me letra bullgare. Ish-kreu i bandës së Durrësit ishte shpallur në kërkim në Janar të vitit 2022 për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005-ën.

Biznesmeni Lame u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. Për vrasjen e Lames çështja u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Kush është Lulzim Berisha

Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa u lirua më 2016. 16 anëtarët e ish-bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga asokohe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Më janar të 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi tre dënime përjetë të anëtarëve të bandës së Durrësit dhe la në fuqi vetëm burgun përjetë të Indrit Dokles.

Në 6 dhjetor të 2016, plot 10 vite pas arrestimit të tij në Maqedoni ish-kreu i Bandës së Durrësit fitoi lirinë. Berisha u lirua nga Gjykata e Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit. Berisha prej kohësh qëndronte pranë spitalit të burgut në Durrës ku ishte nën kujdesin e mjekëve pas disa problemeve shëndetësore, ndërsa mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë, për të cilën kishte shkuar të kurohej në Turqi. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun./ZËRI

Poll

MOS HUMB