TIRANË-Një grabitje e pazkontë është regjistruar në një pikë të transfertave të parave dhe këmbimit valutor në zonën e quajtur si “Vorri i Bomit”. Kumrie Zika në ditën e parë të punës në 'Exhange' ka vjedhur 5 mijë euro.
Gjatë ditës së parë të punës Zika ka qenë gjithë kohës e shoqëruar nga punonjësi tjetër, por vetëm në një moment prej pak sekondash shkëputje të tij, ajo ka përfituar për të marrë afro 5 mijë euro në arkën e biznesit dhe për të humbur në rrugicat e lagjes me shpejtësi.
Menjëherë pas ngjarjes, biznesi i dëmtuar ka njoftuar policinë, e cila ka aksesuar kamerat e sigurisë dhe ka identifikuar menjëherë autoren, Kumrie Zika. Disa orë pas vjedhjes, policia ka arrestuar Zikën në zonën e “21 Dhjetorit”, raporton TCH. Kjo nuk është hera e parë që Zika kryen vjedhje në bizneset e Tiranës, pasi edhe më herët ajo paraqitej si e interesuar për pozicionin kamariere dhe pa mbushur as 3 orë punë, zhdukej duke marrë me vete xhiron ditore dhe paratë e kasës.
Nga kërkimet në Google, rezulton se Kumrie Zika është një personazh i njohur publik, pasi është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës./ZËRI