
TIRANË- Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë ka qenë kryefjala e emisionit investigative “Piranjat”, episode që u transmetua këtë mbrëmje. Në video trajtohet vënia e mjeteve në pronësi të Bashkisë Tiranë, në dispozicion të familjes Ristani. Më konkretisht, një prej makinave filmohet teksa dërgon bashkëshortin e zonjës Ristani në punë, Bledi Cikopana, i cili është edhe punonjës i kabinetit të Presidentit të Republikës. E njëjta makinë, dërgon dhe vajzën e Ristanit në shkollë. Në të njëjtin episode është filmuar dhe fakti që Ristani, në orën që duhet të jetë në krye të detyrës në Bashkinë e Tiranës, ndodhet në palestër.
Në fund të të gjithë episodit, gazetari Edon Kuqi përballet me Risatnin, por nuk merr përgjigje për përdorimin e mjeteve. Mes gazetarit dhe Ristanit zhvillohet një debat verbal që arrin deri në pikën që kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë e quan ‘kriminel’ e ‘pedofil’. Me telefon në dorë, Ristani filmon gazetarin dhe fokusohet vetëm tek pjesa që stafi i “Piranjave”, kanë përndjekur fëmijën e saj.
E gjithë kjo përplasje ka vijuar më tej, në rrjetet sociale. E para që ka reaguar ka qenë vetë Ristani, e cila zotohet se do ta ndjekë këtë çështje deri në fund, me gjyq. Ajo flet dhe për gjobëvënie dhe përndjekje nga ana e gazetarëve, sërish duke iu referuar faktit të filmimit të vajzës së saj që mbërrin në shkollë me makinën e Bashkisë Tiranë.
Ristani ka marrë një përgjigje nga Taulant Koplikaj, drejtuesi i programit “Piranjat”, i cili shkruan se në çdo vend normal, pas transmetimit të pamjeve, kryetarja duhej të jepte dorëheqjen dhe të ndiqej penalisht për shpërdorim detyre. Përsa i përket përndjekjes së fëmijës që pretendon Ristani, Koplikaj thotë se pavarësisht investigimit që kanë bërë, për etikë profesionale, kanë evituar çdo imazh të lëvizjes së këtij mjeti për të përcjellë fëmijën e zonjës Ristani në shkollë.
Postimi i Anuela Ristanit:
Prej më shumë se tre muajsh, unë dhe familja ime jemi vënë në shënjestër të një përndjekjeje të vazhdueshme dhe të paprecedentë nga emisioni investigativ “Piranja”, i drejtuar nga z. Vojo Bregu dhe transmetuar në Syri TV.
Ky nuk është një reagim për mua si përfaqësuese publike, por si nënë, bashkëshorte dhe qytetare. Sepse kur dhuna mediatike kalon kufijtë e raportimit dhe shndërrohet në ndjekje fizike të fëmijëve të mitur, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gazetari, por me një formë të pastër shantazhi dhe terrori psikologjik.
Kam zgjedhur të reagoj jo vetëm për të drejtat e fëmijëve të mi që nuk kanë zgjedhur të jenë pjesë e jetës publike, por edhe për të gjithë ata që si unë ndihen të pambrojtur përballë kësaj praktike të rrezikshme, që përdor kamerat për të dhunuar privatësinë dhe sigurinë familjare.
Unë e di që ndoshta kësaj beteje nuk mund t’i dilet gjithmonë, por nesër, kur të mos jem më në këtë detyrë apo në asnjë funksion publik, do ta kem shpirtin në paqe që të paktën luftën time ndaj shantazhit, presionit dhe gjobëvënies e kam bërë me dinjitet dhe pa u tërhequr.
Do të doja të shihja si do të reagonin z. Vojo Bregu, znj. Arlinda apo kushdo tjetër që ka kontribuar në këtë ndjekje, nëse dikush do të ndiqte fëmijët e tyre, do të publikonte oraret dhe destinacionet e tyre me detaje, apo do t’i trembte me makina gri pa logo dhe motorë të bardhë nga dy burra të panjohur.
Mua më kanë ndjekur për tre muaj. Le të jenë dhe 300 muaj, nuk më bën përshtypje.
Unë nuk kam frikë nga e vërteta, as nga raportimi profesional. Kam hapur gjithmonë dyert e zyrës për çdo media që ka kërkuar transparencë.
Por të përndjekësh fëmijë, është e ulët edhe për gjobaxhinjtë më të pacipë.
Për më tepër, pretendimi i fundit i emisionit "Piranja" se faqja e tyre në Instagram është sulmuar për shkak të një materiali që më përmend mua, është një tjetër *fake neës* dhe shpifje. Nuk kam asnjë problem me publikimin e çdo materiali të regjistruar, ndërkohë që të gjitha faktet, videot dhe provat i kam dorëzuar pranë autoriteteve kompetente dhe do ta ndjek këtë çështje deri në fund, me rrugë ligjore. Sepse përveçse nënë dhe bashkëshorte, jam dhe një qytetare që beson se liria dhe privatësia nuk janë të negociueshme.
Të përndjekësh një fëmijë për të sulmuar një të rritur është një akt i ulët. Dhe i tillë mbetet, edhe kur vishet me petkun e “gazetarisë”.
Postimi i Taulant Koplikajt:
Transmetimi i investigimit tonë që lidhet me vënien e një makine të bashkisë së Tiranës në dispozicion të bashkëshortit të kryetares së komanduar Anuela Ristani, e ka zemëruar së tepërmi zonjën e nderuar që po drejton prej tre muajsh Tiranën. Gazetarët tanë, së pari faktuan në mënyrë të pakontestueshme sesi bashkëshorti përcillej çdo ditë në punë me makinën e bashkisë me targë AB649LD. Në çdo vend normal, pas transmetimit të pamjeve, kryetarja duhej të jepte dorëheqjen dhe të ndiqej penalisht për shpërdorim detyre. Por ne nuk presim që kjo të ndodhë në Shqipëri edhe pse punojmë çdo ditë me profesionalizëm për të arritur këtë standard. Ne e kuptojmë mungesën e etikës dhe fjalorin e përdorur gjatë përballjes me gazetarët tanë, por kemi treguar për 3 vite emision që këto forma nuk na intimidojnë.
Për ta sqaruar për publikun, e vërteta është krejt tjetër nga ajo që pretendon znj. Ristani. Ne kemi ndjekur nga pas për vetëm tre ditë lëvizjet e mjetit me targë AB649LD i regjistruar në pronësi të bashkisë Tiranë. Për etikë profesionale, kemi evituar çdo imazh të lëvizjes së këtij mjeti për të përcjellë fëmijën e zonjës Ristani në shkollë, edhe pse asnjë ligj nuk do të ndalonte ta bënim, kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, dhe mjetet janë blerë me taksat tona.
E kuptojmë fare mirë që ajo kërkon të viktimizohet duke pretenduar që i kemi përndjekur fëmijët, duke shpresuar që njerëzit të lodhur nga politika dhe të mësuar me abuzimet e bashkisë Tiranë, do ta kritikojnë investigimin tonë. Por sado të viktimizohet, e vërteta është aty dhe e patjetërsueshme. Mjafton që të shikohet.
Duhet theksuar se për shkak të një investigimi të faktuar dhe të pakontëstueshëm, kjo zonjë e nderuar ka dalë tërësisht jashtë kontrollit, jo vetëm në gjuhën e përdorur ndaj gazetarit por edhe në deklaratën e shpërndarë pas transmetimit të kësaj historie, aq sa në një moment ka aluduar që kemi të bëjmë me gjobvënie dhe shantazh.
Ne i bëjme thirrje zonjës Ristani që t’i drejtohet sa më parë prokurorisë për të denoncuar përndjekjen dhe tentativën tonë për gjobvënie. Gjithashtu i bëjmë me dije asaj dhe atyre që ia “qëndisin” këto reagime emocionale, se nuk do të ndalemi deri sa të marrim përgjigje: pse makina e bashkisë është vënë për ditë me radhë në dispozicion të burrit të saj punonjes i presidencës?
Kaq pak po kërkojmë.