LIKSEMBURG- Në një vendim të rëndësishëm, gjyqtarët e Luksemburgut kanë vendosur kundër qeverisë italiane dhe kanë vënë në dyshim funksionimin e plotë të protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët.
“Një shtet anëtar nuk mund të caktojë si vend origjine ‘të sigurt’ një vend të tretë që nuk i plotëson, për kategori të caktuara personash, kushtet thelbësore për një caktim të tillë”! Kështu ka vendosur Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian, duke u shprehur mbi padinë kundër procedurës kufitare në qendrat për strehimin e emigrantëve në kampin në Gjadër.
Kjo do të thotë që ligji evropian nuk lejon përcaktimin e vendeve të sigurta kur ka përjashtime për kategori specifike njerëzish. Gjithashtu thihet se lista italiane e vendeve të sigurta është pothuajse tërësisht e pavlefshme, pasi është e mbushur me përjashtime për grupe specifike shoqërore.
Sipas vendimit procedurat e përshpejtuara kufitare nuk mund të zbatohen për azilkërkuesit nga ato vende. Prandaj, emigrantët nuk mund të ndalohen ndërsa kërkesa e tyre për mbrojtje ndërkombëtare është duke u përpunuar, as në Itali dhe as në qendrat në Shqipëri. Të paktën deri në qershor 2026, kur hyn në fuqi pakti i BE-së për migracionin dhe azilin, duke ndryshuar rregullat, asnjë azilkërkues nuk mund të transferohet në Gjader.
Padia nga gjykatat italiane
Gjykatës së BE-së iu drejtuan disa gjykata italiane, përfshirë edhe Gjykata e Lartë (Kassazione), pas rasteve të shumta kur vendimet për ndalimin e emigrantëve të dërguar në Shqipëri u shpallën të pavlefshme. Këto gjykata i parashtruan dy pyetje parësore:
E para kishte të bënte me vetë përkufizimin e “vendit të sigurt”, edhe në rastet kur brenda një vendi ekzistojnë kategori të njerëzve apo zona që janë në rrezik. Megjithëse çdo qeveri ka të drejtën të hartojë listën e vet të vendeve të sigurta, përfshirja e një shteti në këtë listë nuk është e vlefshme nëse nuk plotësohen kriteret për të gjitha grupet. Pyetja e dytë kishte të bënte me përfshirjen në listë të vendeve ku evidentohen shkelje të të drejtave themelore, të garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, ndaj një ose më shumë kategorive të njerëzve.
Ndikimi në qeverinë italiane
Ky vendim i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së i vë një tjetër pengesë planeve të qeverisë italiane për të rikthyer në pikat kufitare të Shëngjinit dhe më pas në Gjadër emigrantët e shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane, të cilët vijnë nga vende që Italia i konsideron si "të sigurta" dhe që synohej të riatdhesoheshin me procedura të përshpejtuara.
Ky projekt kishte nisur të zbehej muajt e fundit, pasi disa gjykata italiane i konsideruan të paligjshme këto ndalime dhe ngritën çështje për interpretimin korrekt të nocionit “vend i sigurt”, duke iu drejtuar për sqarim vetë Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Tashmë, interpretimi i dhënë nga Gjykata i jep të drejtë gjyqtarëve italianë që anuluan ndalimet e emigrantëve nga vende të futura në listën e “vendeve të sigurta” nga qeveria.

