DURRËS- Policia e Durrësit dhe e Tiranës kanë zhvilluar një operacion të përbashkët për zbatimin e masave të sigurisë në lidhje me çështjen e mbetjeve të kompanisë “Kurum”, pasi mbetjet në 102 kontejnerët e anijes “Moliva” rezultuan të rrezikshme.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar në këtë çështje, mes tyre edhe drejtues të "Kurum", biznesmenë dhe zyrtarë të AKM dhe Doganave. Mësohet se nga këto masa, 26 janë "arrest me burg", ndërsa 7 masa "arrest shtëpie".
Drejtuesit e kompanisë Kurum, E.D e Y.K, drejtuesit e kompanisë ”Sokolaj” shpk dhe ish-drejtoresha e AKM, Arta Dollani janë të përfshirë në skandalin e mbetjeve të rrezikshme. Dollani, e cila sot mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, akuzohet për shkeljet e kryera në kohën kur mbante postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Mësohet se për Dollanin është vendosur në masën e sigurisë "arrest shtëpie"./ZËRI