Aktualitet

Mbi 31% interesi i huas, Iute ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund t’i largojë klientët

Institucioni shprehet se zhvillimet negative që ndikojnë në sektor në tërësi, duke përfshirë skandalet, veprimet zbatuese ose falimentimet që përfshijnë huadhënës të palëve të treta, mund të rezultojnë në dëmtim të reputacionit, ulje të besimit të klientëve dhe rritje të kontrollit rregullator në të gjithë industrinë

F.I
Mbi 31% interesi i huas, Iute ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Iute Credit”, një prej institucioneve financiare jo banka, e cila njihet për huadhëniet e shpejta me interes të lartë, është ankuar se publikimi i lajmeve në media është një rrezik, që kërcënon biznesin e saj. Shqetësimi është publikuar në prospektin e listimit të obligacionit 140 milionë euro, që kompania siguroi në qershorin e këtij viti.

Institucioni shprehet se zhvillimet negative që ndikojnë në sektor në tërësi, duke përfshirë skandalet, veprimet zbatuese ose falimentimet që përfshijnë huadhënës të palëve të treta, mund të rezultojnë në dëmtim të reputacionit, ulje të besimit të klientëve dhe rritje të kontrollit rregullator në të gjithë industrinë, pavarësisht nga praktikat tona të pajtueshmërisë, sjelljes ose biznesit.

“Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të mbulimit negativ mediatik në lidhje me kreditë afatshkurtra dhe me pagesë të vetme të llojit që ofrojmë. Disa grupe të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe politikanë dhe zyrtarë qeveritarë në juridiksione të ndryshme ku ne operojmë, kanë mbështetur veprime qeveritare të hartuara për të vendosur kufizime të rrepta në aktivitetet e huadhënësve afatshkurtër të konsumatorëve, siç jemi ne. Tarifat dhe/ose interesi i ngarkuar nga ne dhe të tjerët në industri tërheqin publicitet mediatik në lidhje me industrinë dhe mund të perceptohen si të diskutueshme. Karakterizimi negativ i këtyre llojeve të kredive dhe praktikave të huadhënies mund të çojë në ndryshime më kufizuese ose negative legjislative ose rregullatore, të cilat, nga ana tjetër, mund të kenë një efekt negativ material në biznesin tonë, gjendjen financiare, rezultatet e operacioneve, perspektivat ose flukset e parave të gatshme,” thuhet në prospekt.

Grupi me qendër në Estoni vëren se kreditë e saj shkojnë kryesisht për klientët e pashërbyer që kanë qasje të kufizuar ose aspak në shërbimet tradicionale bankare për shkak të kritereve të rrepta të huadhënies bankare. Në dokument “Iute Credit” ndalet edhe tek fushata e marketingut dhe reputacioni publik. Sipas saj aftësia për të tërhequr dhe mbajtur klientët varet shumë nga marketingu. 

'Kufizimet në aftësinë tonë për të reklamuar produktet tona ose perceptimet negative ose publiciteti në lidhje me huadhënien afatshkurtër në përgjithësi – edhe nëse lidhen me incidente në dukje të izoluara ose me praktika jo specifike për kreditë afatshkurtra, siç është mbledhja e borxheve – mund të gërryejnë besimin tek ne dhe të dëmtojnë reputacionin tonë midis klientëve ekzistues dhe potencialë, gjë që mund ta bëjë të vështirë për ne të ruajmë ose zgjerojmë bazën tonë të klientëve ose mund të zvogëlojë kërkesën për produktet dhe shërbimet tona, të cilat të dyja mund të kenë një efekt negativ material në biznesin tonë, gjendjen financiare, rezultatet e operacioneve, perspektivat ose flukset e parave të gatshme,” përfundon kompania.

Vetëm pak kohë më parë ZËRI raportoi se Iute Credit ka zgjeruar ofertat e saj financiare, duke ofruar kredi deri në 600 mijë lekë për organizimin e ceremonive martesore. Kompania e promovon këtë financim si një mundësi për të realizuar “ditën më të bukur të jetës”, ndërsa oferta shoqërohet me një normë efektive interesi deri në 35.21%. 

Mbi 31% interesi i huas, Iute ankohet se publikimi i skandaleve nga media mund

ZËRI prej vitit 2024 raportoi rastet e abuzimit dhe denoncimet e qytetarëve që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Pa asnjë filtër, këto institucione iu dhanë qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve.

Skandali i mikroredive është në hetim nga SPAK ku për gjykim janë dërguar 16 persona, si edhe 4 shoqëri financiare, konkretisht Micro Credit Albania, FINAL, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH. Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës të këtyre kompanive, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara; presionin psikologjik dhe përndjekjen për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta. Për t'i bindur, qytetarët i gënjenin se vetëm në këtë mënyrë do të shlyenin kredinë ekzistuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB