GREQI- Një 42-vjeçar shqiptar është gjetur i vdekur brenda një stalle në Mesinia, në Greqi. Ngjarja që dyshohet për vrasje, ka ndodhur mesditën e sotme. Mediat greke raportojnë se 42-vjeçari, emigrant shqiptar, ende i paidentifikuar, ka marrë një plagë në kokë të shkaktuar nga armë zjarri, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur nga autoritetet.
Paraprakisht, dyshohet se shqiptari, i cili punonte në stallën në fjalë, ka pasur një zënkë e pronarin e tij. Megjithatë, është ende e paqartë dhe po verifikohet edhe nëse viktima ishte vetë punëdhënës apo punëtor në stallën ku u gjet.
Trupi i shqiptarit është gjetur nga bashkëkombësi i tij, në banesën e të cilit po qëndronte. Ky i fundit ka njoftuar policinë, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Po ashtu, pritet edhe ekspertiza e mjekut ligjor nga Korinthi.
Deri tani, rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet greke po hetojnë në disa pista./ZËRI