
TIRANË- 2 persona me rrezikshmëri shoqërore janë arrestuar në Fushë-Krujë dhe Dibër. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.
Në pranga ka rënë Klodian Llomi (Mazari), i cili në vitin 2023 u dënua nga Gjykata e Romës me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg për grup kriminal, trafik droge dhe prostitucion. Po ashtu është arrestuar edhe Roland Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, i cili në vitin 2024 është dënuar nga Gjykata e Torinos me 4 vjet e 3 muaj burg, për grup kriminal, organizatë kriminale dhe vjedhje.
"Kapen në Fushë-Krujë dhe Dibër, dy persona me rrezikshmëri shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, brenda 12 orëve të fundit janë finalizuar edhe dy faza të tjera të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:
1 - Operacionalja 39, në kuadër të të cilit forcat operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Klodian Llomi (Mazari), 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Gjykata e Apelit Romë/Itali, në vitin 2023, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
2 - Ndërsa në kuadër të fazës Operacionalja 40, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit Roland Ibrahimi, alias Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç. Gjykata e Torinos/Itali, në vitin 2024, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal”, dhe “Vjedhje e rëndë”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar", njofton Policia./ZËRI