DIBËR- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e ndodhur në Dibër, ku efektivi i policisë Jetmir Uta, dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një 18-vjeçare. E reja ka dëshmuar se Uta, e ka kontaktuar në telefon dhe i ka thënë që kishte foto dhe video të saj, dhe në rast se nuk do ta takonte, ato do të publikoheshin.
“Nuk e njihja, më shkroi në whatsupp një person me këtë numër (që i përket policit), ku më thotë ‘kam video dhe foto të tuat’, nëse nuk më takon, do t’i publikoj”, ka dëshmuar e reja. Kjo është arsyeja që sipas saj e ka detyruar që të hipte në makinën e oficerit të policisë, ndërkohë që në deklaratën e saj ka dëshmi kontradiktore.
Fillimisht vajza kishte deklaruar se abuzimi seksual kishte ndodhur në makinën e Utës, ndërsa më pas në hotel. Për këtë ajo pritet të rimerret në pyetje në prani të një psikologeje.
Dy ditë para abuzimit, vajza është paraqitur me të ëmën, (e cila kishte mbushur 18 vjeçe në tetor), dhe ka kryer denoncimin për Utën, i cili e kishte përndjekur vazhdimisht. Prokurorja e çështjes nuk ka vendosur ende se kur do të kërkojë masën e sigurisë, që pritet të mbahet në fillim të javës.
Vetë efektivi i policisë, deri tani ka refuzuar të flasë zyrtarisht. Punonjësi i policisë, i cili në kohën e kryerjes së veprës ushtronte detyrën “Ndihmës/Specialist i Patrullës së Përgjithshme”, ishte larguar drejt Kosovës, por u ndalua nga AMP gjatë rikthimit në territorin shqiptar. Sipas hetimeve, ai gjithashtu kishte kanosur viktimën për të mos bërë kallëzim në polici. Materialet proceduriale shtesë përfshijnë edhe dy persona të tjerë të dyshuar për “Kanosje për të mos kallëzuar” dhe “Përkrahje të autorit në krim”.
AMP njoftoi se hetimet me metoda speciale treguan përfshirjen e 24-vjeçarit në veprat penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”, ndërsa procedurat ligjore vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë të dyshuarve të tjerë të përfshirë. /ZËRI