
ITALI- Një aleancë midis grupeve kriminale shqiptare, kalabreze dhe romane, me degë në Amerikën e Jugut dhe në portet e Evropës Veriore, ka shkaktuar një "boom" të trafikut të lëndëve narkotike. Për një vit, nga grupimi ishin "lëvizur" 300 kilogramë drogë (për një vlerë prej 8 milionë euro). Nga 26 të dyshuar fillestarë, 15 urdhër arresti (12 në burg dhe 3 në arrest shtëpie) u ekzekutuan mbrëmë nga Policia Italiane. Mbi 110 efektivë policie kontrolluan 16 banesa ku gjetën dhe sekuestruan ora Rolex, valixhe plot me para, madje edhe diamante.
Aksioni u shtri në 9 provinca të Italisë, madje edhe në Reggio Emilia, atje ku fshihej "koka" dhe baza e organizatës kriminale. Sipas mediave vendase, kontrollet e tjera u shtrinë në Parma, Modena, Piacenza, Ravenna, Lucca, Venecia dhe Romë.
Emrat
Në pranga përfunduan: Domenico Bolognino, 34 vjeç lindur në Lokri, djali i shefi Sergio Bolognino i lidhur me 'ndranghetën e Grande Aracri-t; Cesare Catellani, 51 vjeç, lindur në Carpi; Xhemali Desari, 34 vjeç; Avni Dushku, 38 vjeç; Fabjol Dushku, 35 vjeç; Salvatore Gaetano, 43 vjeç nga Crotone; Daniele Gatta, i njohur si dhëndri i Fabrizio Piscitelli i njohur si "Diabolik"; Rigers Kusi, 37 vjeç; Sokol Lumi, 38 vjeç; Antonino Modafferi, 44 vjeç kalabrez; Daniel Palladino, 24 vjeç lindur në Reggio; Daniela Randazzo, 54 vjeçe, lindur në Palermo; Bashkim Sula, 37 vjeç; Julian Nikolla, 44 vjeç, Armand Pepa, 24 vjeç dhe Aureldi Tafa, 32 vjeç.
Operacioni u emërtua "Limits", në shqip limitet, për shkak të vështirësive të veçanta që iu shfaqën agjentëve për shkak se antarët e grupit ishin shtrirë në zona të ndryshme të vendit. Gjithçka filloi më 15 shtator 2020 me një konfiskim që ndodhi në aeroportin e Bogotës në Kolumbi. Atje u kap një pako DHL, me 6,5 kilogramë kokainë, që kishte dërgues italian dhe adresën: Piazza del Bianello 2 në Bibbiano.
Nga Kolumbia "topi" i kaloi Guardia di Finanza të Reggio Emilia, e cila pavarësisht numrit të gabuar të rrugës zbulon një apartament të përdorur nga Salvatore Gaetano, Palladino, Lumi dhe Sula (këta dy të fundit ishin kushërinj). Hetimi vazhdoi dhe më pas u shfaq në skenë edhe Gatta, si financues i një dërgese nga Ekuadori.
Megjithatë, për të kompletuar enigmën dhe për të rindërtuar rrugët e drogës, ishte e nevojshme të nxirreshin të dhënat nga telefonat e kriptuar që përdornin pjesëtarët e grupit. Sipas akuzës, nga viti 2020 deri në vitin 2021, të dyshuarit kanë importuar nga Shqipëria, Kosova, Ekuadori, Kolumbia dhe Holanda lëndë narkotike si: kokainë, kilogramë heroinë dhe hashash.
Bazuar në hetimet e Guardia di Finanza, del se Gatta kishte investuar shumë para, të paktën 5 milionë euro, në një organizatë që nuk ishte asgjë tjetër veçse e improvizuar.
“Ka 5 milionë euro gati, është një nga njerëzit e mi që më ka ndihmuar me fakte… e shikon ku i ke lekët këtu, këto i kemi dhënë provë… 54 mijë euro. E pyeta njëzet mijë herë… E thirra edhe njeriun në Ekuador, sepse e kam numrin. Njeriu nga Roma ka ardhur… shefi më i madh në Romë që komandon gjithçka… si e ka emrin… “Casamonica”… ai erdhi në shtëpinë time… erdhi në shtëpinë time… më solli edhe paratë,"-shkruhej në disa mesazhet e shkëmbyera në "SkyECC"./ZËRI