LEZHË- Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit rreth orës 05:55 në qytetin e Lezhës. Sipas policisë një sasi tritoli i është vendosur një automjeti në pronësi të një efektivi policie. Bëhet fjalë për një agjent të krimeve në Policinë e Lezhës, 41-vjeçari Gent Gjetja. Makina e këtij të fundit, tip “Volkswagen Golf 5”, ishte i parkuar poshtë shtëpisë së tij, në lagjen “Besëlidhja”, ndërsa shpërthimi në pjesën e përparme të automjetit ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa policia po vijojn kontrollet në zonë për kapjen e autorit apo autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë vijon intensivisht veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
“Rreth orës 05:55, në qytetin e Lezhës, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse në një automjet të parkuar, tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në DVP Lezhë. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon intensivisht veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.
Sipas burimeve, 41-vjeçari Gent Gjetja ka deklaruar për hetuesit se nuk ka konflikte personale. Megjithatë, policia dyshon se shpërthimi mund të ketë lidhje me detyrën e tij në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Visualizza questo post su Instagram
/ZËRI