
TIRANË-Pas denoncimit të një mësueseje për një substancë në formë “çamçakëzi” që dyshohej se përgjum nxënësit në një shkollë në Tiranë, Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja pas hetimeve.
Policia informoi se, nga analizat toksikologjike të kryera pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), substanca jeshile, e dyshuar më parë si e llojit psikotrop, nuk përmban ndonjë lëndë narkotike. Sipas rezultateve, ajo ka në përbërje vetëm vitaminë E, duke hedhur poshtë mundësinë e pranisë së një droge.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:
Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.
Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.
Denoncimi i parë u bë disa ditë më parë nga një mësuese e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë, e cila ngriti alarmin se nxënësit mund të ishin duke konsumuar një drogë si “çamçakëz,” duke pretenduar se pas konsumimit të tij, fëmijët ndiheshin të përgjumur./ ZËRI