TIRANË- Imer Krrashi sot nuk iu bind forcave të policisë “Shqiponja” për të kryer një kontroll në makinën e tij. Ai zgjodhi “t’i jepte gaz” për të shpëtuar nga policia, pasi në automjet mbante një armë zjarri të tipit pistoletë. Si pasojë e shpejtësisë së lartë, ai përplasi shtatë makina dhe një motor. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur një oficer policie dhe bashkëshortja e tij, të cilët udhëtonin me motor.
Nga adrenalina në autostradën e Tiranës, tek vjedhjet e banesave në Itali!
Në vitin 2022, Imer Krrashi ra në prangat e policisë italiane në Trentino, pasi kryente vjedhje së bashku me disa persona të tjerë. Njëri prej tyre ishte edhe Edison Pula, i dënuar në Shqipëri me 20 vite burg për një atentat me eksploziv ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në Larushk, ku ish-punonjësi i policisë mbeti i plagosur rëndë.
Imeri dhe Edisoni, të dy nga Fushë-Kruja, u arrestuan në një qendër tregtare në Itali, pasi më 14 nëntor 2021 kishin kryer një vjedhje në Marok të Mogliano Veneto, brenda vilës së biznesmenit italian Giancarlo Miotto. Imer Krrashi përdorte edhe identitete të tjera, si: Imer Masha dhe Imer Uka. Këto identitete të rreme i shfrytëzonte për të kryer vjedhje në Itali.
Tashmë ai ndodhet në prangat e policisë, ku pritet të dalë para trupës gjykuese, me akuzat "Armëmbajtje pa leje", "Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Tentativë për vrasje"./ZËRI
