
TIRANË-Ka dështuar seanca në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për dosjen ‘Metamorfoza’. Shkak është bërë mungesa e avokatëve të ish-drejtorit të Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri.
Prokuroria i kërkoi Gjykatës shtyrjen me qëllim që edhe avokati i Oltion Bistrit të jetë prezent ne sallë. Me kërkesën e SPAK të pandehurve u pezullohet gjithashtu edhe afatet e paraburgimit. Të pandehur janë Pëllumb Gjoka, Asmer Bilali, Xhevahir Lita, Behar Bajri, Edmond Preka, Ardit Hasanbegaj dhe Oltion Bistri. Seanca e radhës do të mbahet më datë 13 shkurt 2025 ora 13:00.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara. Mësohet se akuzat u janë komunikuar deri tani Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, ndërsa për disa prej të dyshuarve ka rënë akuza kryesore e grupit të strukturuar kriminal. Ish-shefit të policisë operacionale, Oltion Bistrit, i është hequr akuza e shpërdorimit të detyrës, dhe është akuzuar vetëm për "korrupsion". Por edhe për ish-prokurorin Xhevahir Lita është zbutur akuza, i cili tashmë nuk do të hetohet zyrtarisht për akuzën e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë Lita ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC.
Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person i zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan.
Por seancat për këtë dosje ishin shtyrë për shkak se një prej të pandehurve, biznesmeni Pëllumb Gjoka, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vërtetësinë e mesazheve që janë nxjerrë nga aplikacioni i enkriptuar "SkyECC". Pasi mori parasysh pretendimet e Gjokës, Kushtetuesja vendosi rrëzimin e kërkesës të së pandehurit./ZËRI