TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vijuar seanca lidhur me dosjen Metamorfoza, ku ka dëshmuar Jozi Kraja në procesin penal ndaj Pëllumb Gjokës, Behar Bajri dhe Edmond Prekës. Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Kraja është pyetur lidhur me vrasjen e vëllait të tij, Gjin Ndojit.
Ai deklaroi se nuk ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, pasi në kohën kur ndodhi ngjarja ai ishte i burgosur në Zvicër. Kraja është shprehur se lajmin për humbjen e tij e ka marrë nga nëna e tij, e cila i ka thënë se Ndoji kishte vrarë veten.
Jozi Kraja: Gjin Ndojin e kam vëlla. Nuk kam dijeni fare për vrasjen e vëllait tim. Kam qenë në burg në Zvicër. Më kanë thënë që vëllai im ka vrarë veten. Më ka thënë nëna. Nuk jam pyetur ndonjëherë për këtë ngjarje dhe as nuk dua të pyetem. Kam qenë dhe vazhdoj të jem në burg.
GJKKO ka pranuar kërkesën e mdrojtjes së Pëllumb Gjokës, Behar Bajroviç (Bajrit) dhe Edmon Prekës, të akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit në gusht të vitit 2020, lidhur me provat që do të përfshihen në shqyrtimin gjyqësor. Mes tyre është edhe dërgimi i një letërporosie të re në Francë, për të sqaruar burimin e të dhënave të SKY ECC.
Gjin Ndoji, disa orë para se të vritej bisedon me Behar Bajrin, duke e njoftuar këtë të fundit se e kishte parë me BMW në zonën e Shëngjinit, duke e paralajmëruar që të bënte kujdes, pasi në atë zonë kishte prezencë të madhe të policisë dhe FNSH kishte dalë për kontrolle. Në fakt në këtë kohë Behar Bajri bisedonte me Denis Brajoviç, Pëllumb Gjokën, Edmond Prekën dhe persona të tjerë lidhur me planin për vrasjen e vetë Gjin Ndojit.
Gjin Ndoji alias Gjin Boriçi u ekzekutua me armë zjarri në Gusht të 2020-s, në Shkejzë të Vaut të Dejës. Ndoji u gjet i pajetë gjatë orëve të mëngjesit, në rrugë, pranë makinës së tij të marrë me qira. Rreth një kilometër larg skenës së krimit, policia gjeti një makinë të djegur, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët e krimit.
Jozi Kraja u ekstradua nga Zvicra drejt Shqipërisë në muajin janar. Ai është nën hetim për disa vepra të rënda penale, mes tyre “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dyshohet se Jozi Kraja, gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami./ZËRI