
TIRANË-Seanca gjyqësore për dosjen “Metamorfoza” është shtyrë. Vendimi është marrë për shkak se në sallën e gjyqit mungonin avokatët e dy të pandehurve. Seanca e radhës do të zhillohet më datën 30 Maj. Ndërkohë në sallë mungonin të pandehurit Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltian Bistri, Xahevahir Lita, të cilët nuk ishin të pranishëm.
Gjithashtu palët u njohën me vendimin e zëvendësimit të Irena Gjokës si pjesë e treshes gjyqësore, duke u zëvendësuar me Erion Çelën, që i bashkohet trupës aktuale me Etleva Dedën e Floja Hajredinajn. Gjoka është me leje për një afat dy mujor, për shkak të rrethanave familjare, njoftuan kolegët e saj.
Në seancën e 7 majit, Gjykata e Posaçme ndau çështjen penale për dosjen ‘Metamorfoza’, pasi pranoi pjesërisht kërkesën për gjykim të shkurtuar. GJKKO ndau më vete Pëllumb Gjokën, Edmond Prekën dhe Behar Brajoviçin (Bajri), duke qenë se kanë vepra më të rënda penale se të akuzuarit e tjerë. Të tre këta do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara.
Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës, kryer në bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Behar Bajri, akuzohet për vrasje si edhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
Ndërkohë ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, akuzohet për sigurim i kushteve për vrasje të Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Ish Shefi i Operacionales Oltion Bistri akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Ndërkaq ish-prokurori Xhevahir Lita akuzohet për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Për personat që ende ndodhen në kërkim mes tyre edhe Ervis Martinaj, SPAK ka veçuar hetimin. Dhjetra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj, por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022./ZËRI