TIRANË- Biznesmeni Ermal Beqiri vazhdon të shpallet fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), por aktiviteti i tij ka rënë në radarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Burime për ZËRI bëjnë me dije se oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Beqirit. Ende nuk është konfirmuar nëse këto kontrolle lidhen drejtpërdrejt me tenderat e përfituar nga kompania apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Pavarësisht ndërhyrjes së BKH-së, “Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit, pa u hasur deri më tani në asnjë pengesë ligjore apo administrative. Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai, atëherë një inxhinier elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i IT-së në Universitetin e Tiranës, u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë.
Së bashku me një grup kolegësh, Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro. Ekspertiza arriti në përfundimin se videoja ishte e përpunuar dhe se përmbajtja e saj ishte nxjerrë nga konteksti. Ky konkluzion u përdor si provë kyçe në vendimin e Gjykatës së Lartë për shpalljen e Ilir Metës të pafajshëm.
Sot, emri i Ermal Beqirit rikthehet në qendër të vëmendjes, jo më si ekspert teknik, por si një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e tenderave publikë të teknologjisë. Rreth tij ka nisur të shtrëngohet rrethi hetimor, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kontrollet e BKH-së do të shoqërohen me akuza konkrete apo do të shërbejnë vetëm si fazë verifikimi në një hetim më të thelluar./ZËRI


