Aktualitet

Kodi i ri Penal/ Juristët 'sulmojnë' draftin: Skandaloz! Konceptet janë në kufijtë e marrëzisë

Juristët kanë kritikuar ndryshimet e propozuara në lidhje abuzimin nga ana e zyrtarëve, për të cilët parashikohet edhe ulje e masës së dënimit me 3 vite më pak krahasuar me kodin aktual.

zh.ll
Kodi i ri Penal/ Juristët 'sulmojnë' draftin: Skandaloz!
Foto ilustruese

TIRANË- Drafti i Kodit të ri Penal ka ngjallur polemika dhe është komentuar e kritikuar edhe nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Juristët kanë kritikuar ndryshimet e propozuara në lidhje abuzimin nga ana e zyrtarëve, për të cilët parashikohet edhe ulje e masës së dënimit me 3 vite më pak krahasuar me kodin aktual. Avokati Altin Kaziaj është shprehur kundër këtij ndryshimi, pasi sipas tij, parashikimi për ulje dënimi përcakton një lehtësim për personat e çuar para drejtësisë.

“Shpërdorimi i detyrës është një dispozitë blanket që në formulimin që është në fuqi neni 248 është një thes i madh e quajmë ne avokatët që mund të interpretosh shumë shkelje të një zyrtari dhe parashikon një masë më të lartë deri në 7 vite burgim për ata që kanë vepruar ose skanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Ky nen në mendimin tim do kishte nevojë për saktësime por jo për një tregim që e bën edhe më të paqartë. Vetë fakti të parashikimit të një dënimi më të ulët në draftin e ri përcakton një lehtësim në vetvete për personat e çuar para drejtësisë”-shprehet avokati Altin Kaziaj.

Për Kaziajn, drafti është skandaloz dhe i keqshkruar, pasi heq përgjegjësi aty ku duhet shtuar dhe ngarkon me përgjegjësi aty ku nuk ka. 

“Drafti në tërësinë e vetë është skandaloz, i keqshkruar e mund të jetë marr nga vende totalitare siç mund të jetë Turqia ose Rusia se nuk ka mundësi që një hartues i Kodit Penal të ngarkojë me përgjegjësi edhe aty ku ska”-shton Kaziaj.

Po ashtu, avokati Joardan Daci, teksa shprehet se vepra penale "shpërdorimi i detyrës" ka nevojë për një rikonfigurim, në draftin e ri ai thotë se nuk është bërë ndërhyrje e saktë. Sipas Dacit, jo çdo shkelje duhet të klasifikohet vepër penale, madje burgosja të jetë alternativë e fundit. 

“Vepra penale e shpërdorimit të detyrës ka nevojë për një rikonfigurim se praktikisht sot është shndërruar në një nen që dënon çdo lloj veprimi ose mosveprimi të zyrtarëve, por loja e fjalëve që kanë bërë në tekst nuk e zgjidh situatën. Për shembull thuhet ‘qëllimi kriminal”, kur kjo është pjesë thelbësore e analizës së ekzistencës ose jo të veprës penale. Ndërhyrja është jo e saktë, jo e plotë, për mua do të sjell keqësim dhe rritje të subjektivitetit të zbatimit të ligjit me këto çështje. Ka shumë shkelje që nuk trajtohen si penale e ka shumë të tjera që nuk janë e trajtohen si të tilla. Kjo ka bërë që një zyrtar sot të ketë frikë të marr vendime sepse për shkak të një subjektivizmi masiv që mbizotëron dhe një dëshire që shoqëria ka për të parë gjithë zyrtarët në burg, praktikisht çdo shkelje kthehet në vepër penale e dënohet. Duhet një kod penal i cili duke bërë që burgu të jetë alternativa e fundit, duke bërë që Shqipëria të pasurohet nga gabimet e tyre, të shpaguhet. Për mua kjo do ishte mënyra më efektive. Se çdokush që bën vepër penale bën një shumë të madhe parash e bën me qejf një periudhë të caktuar burgu. Por nëse kjo do përkthehej dhe në humbje të asaj shume e sigurt që do e mendonin shumë herë para se ta bënin”-thotë Joardan Daci.

Duke e cilësuar një makth dhe në kufijtë e marrëzisë, Daci thotë drafti parashikon keqbesim në institucione dhe një regres të drejtësisë. 

“Gafat edhe konceptet e futura në kod janë në kufijtë e marrëzisë, këtu do rritesh keqbesimin në institucione apo rriten masat e shtrëngimit ndaj individit. Këto bien ndesh me parimet bazë, ata që do zbatojnë këtë kod do duhet të kthehen dhe njëherë në shkollë edhe librat të ndryshojnë”-përfundon Daci.

Kodi i ri Penal, ku janë parashikuar një sërë ndryshimesh ligjore, i cili ka ngjallur reagime të shpejta dhe të shumta, do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik. Drafti i ri pritet të kalojë për miratim në Kuven në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator, teksa deri më tani ka pasur kundërshtime nga opozita, juristë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Juristë të shumtë kanë reaguar duke kundërshtar Kodin e ri me pretendimin se formulimi i ri i ligjit nuk arrin të bëjë dallimin mes shkeljeve të rënda dhe të lehta. Kundër tij ka dalë Dhoma e Avokatëve, kryepokurori Olsian Çela, shoqatat e gazetarëve, ndërsa SPAK ende pritet që të japë një koment. Altin Dumani tha para pak ditësh se nuk ka një draft zyrtar në duar, kështu që deri në një moment të dytë, nga SPAK nuk ka asnjë koment./ZËRI

Poll

MOS HUMB