TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në qytetin e Burrelit. Mësohet se janë lëshuar 4 urdhër arreste, njëri prej të cilëve është ekzekutuar. Në pranga kanë rënë: Sabah Nuzi dhe Samet Loka të dy 31 vjeç të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje dhe asgjësim kufome”, pastrim i produktive të veprës penale”, “grup strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Aurel Hoxha, i njohur edhe me emrin Aurelinjo Kalaveri, 36 vjeç, dhe shtetasi Sajmir Kolaveri, të dy të dyshuar për të njëjtat akuza. Aurel Hoxha konsiderohet si urdhëruesi i rrëmbimit dhe më pas vrasjes se Klevis Lleshit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, për vrasjen e vëllait të tij Agim Hoxha në 2012 nga kushëriri i Lleshit.
Hoxha është pronari i lokalit 'Monopol', ku edhe janë ushtruar kontrolle nga FNSH. Kontrolle janë ushtruar edhe në qytetet të tjera. Mësohet se Operacionalja ka ushtruar kontroll në Mamurras, ndërsa momentalisht po ushtrohen kontrolle në Kamëz dhe Fresk.
Klevis Lleshi nga Burreli u zhduk pa lënë gjurmë në gusht të vitit 2020, u vra dhe gropos në fshatin Shpërdhet të Kurbinit. Mbetjet kockore dolën në sipërfaqe nga fenomeni eroziv në këtë zonë që solli rrëshqitjen e tokës në një sipërfaqe të konsiderueshme. Trupi i viktimës u zbulua si rezultat i erozionit të tokës nga banorët e zonës ku pas testit të ADN-së, ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi./ZËRI